TIRANË – Gjyqi ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, që u zhvillua gjatë ditës së sotme, është shtyrë për më datë 5 mars.

Në lidhje me procesin ndaj Fredi Belerit, kanë reaguar mediat greke. Media helene ERT shkruan se avokati i Belerit gjatë seancës së sotme ka kundërshtuar provat e aktakuzës së paraqitur në gjykatë nga dy prokurorët, duke theksuar se nuk është ndjekur procedura e mbikëqyrjes ligjore dhe se provat e paraqitura në gjykatë janë të fabrikuara e të falsifikuara, me qëllim inkriminimin e të akuzuarit. Sipas mediave në Greqi, e gjitha kjo bëhet që Fredi Beleri të mos betohet si kryebashkiak i Himarës.

Më tej, në artikull thuhet se dëshmitarët e prokurorisë kanë rënë në shumë kontradikta, lidhur me çfarë kanë pretenduar gjatë procesit. “Kujtojmë se dy prokurorët propozuan fajësinë e të pandehurit me dy vjet e gjashtë muaj burg”, shkruan ERT. Media greke kishte dërguar edhe një gazetar në Tiranë, që të ndjekë nga afër procesin ndaj Fredi Belerit.

(ERT – BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: