Gjykata Administrative ka vendosur që të shtyje seancën, në lidhje me gjyqin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado. Seanca e radhës do të mbahet më 8 maj ora 14:00.

“Seanca shtyhet që të rregullohet ndërgjyqësia në të kundërt do të vendoset pushimi i padisë”, u shpreh gjykata.

Veliaj kërkon në Administrative përjashtimin e prokurorit Dado nga çështja e tij, me pretendimin se ky i fundit nuk i përmbush kriteret për të ushtruar detyrën e tij si prokuror.

Veliaj u shoqërua nga një furgon policie nga paraburgimi i Durrësit për tek Gjykata Administrative në Tiranë. Në sallë të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Presidenca, juristja Sara Bërdëllimën.

Sakaq, prokurori Ols Dado përfaqësohej nga avokati Erarbër Madhi. Po ashtu në gjyq ishte thirrur dhe KLP-ja, që përfaqësohej nga Danja Hobdari.

Erion Veliaj kërkon konstatimin e pavlefshmërisë së dekretit të presidentit për emërimin si prokuror të Ols Dados. Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca theksoi se kjo gjykatë është kompetente për të shqyrtuar kërkesë padinë. “Kjo është sfida juaj për ta ndarë, a është Ols Dado prokuror i Republikës?”, tha Ndreca.

Erion Veliaj prej 10 shkurtit të 2025-ës ndodhet pas hekurave, teksa SPAK ka ngritur disa akuza për korrupsion dhe abuzime me detyrën, ndërsa dosja ka kaluar për gjykim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb