U mbajt sot seanca gjyqësore për çështjen ‘Babale’, ku i pranishëm në seancë ishte deputeti demokrat, Ervin Salianji, i shoqëruar nga avokati i tij, Ledio Braho.

Ndërkohë në sallën e gjyqit ndodheshin edhe deputetët demokratë, Flamur Noka dhe Luciano Boçi. Që në nisje të seancës, avokati i Salianjit bëri kërkesë për përjashtimit e relatores Edlira Petrit.

Gjatë fjalës së tij deputeti demokrat, Salianji tha se përjashtimi i Petrit ka të bëjë me papajtueshmëri ose lidhje familjare me personat që janë palë në gjykim.

“Përjashtimi i Petrit ka të bëjë me papajtueshmëri ose lidhje familjare me personat që janë palë në gjykim. Shkak për përjashtimin, pasi bashkëshorti i saj Sokol Sadushi ka shqyrtuar në Gjykatën e Lartë një rekurs të bërë nga palët.”, tha Salianji.

Mes të tjerash Salianji theksoi se Petri e përshpejtoi çështjen edhe pse ka dosje të tjera të regjistruara para asaj. “Çështja nuk është rishortuar, Petri e përshpejtoi dosjen edhe pse ka dosje të tjera të regjistruara para asaj pa shqyrtuar. Kjo më bën të dyshoj që relatorja ka patur qëllim të mos e rishortojë çështjen”, shtoi ai.

Kujtojmë se Salianji është dënuar me 1 vit burg në gjykatën e Shkallës së Parë dhe Fredi Alizoti, dhe gazetari Jetimir Olldashi dhe ai që njihet si ‘Babalja’, i cili ka kërkuar statusin e azilantit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi në një lidhje live se Gjykata vendosi që të kalojë kërkesën e Salianjit për shqyrtim dhe kjo ka një afat prej 48 orësh, pasi është kërkesë urgjente. Nëse kërkesa për përjashtim pranohet, duhet të rishortohet çështja. Po ashtu bëhet e ditur se më pas gjyqtari ka 5 ditë kohë për të shqyrtuar kërkesën.

“Ndaj do të duhet që në varësi të vendimit që do marrë gjyqtari, do të vendoset se kur do të shqyrtohet kjo çështje. Çështja Babalja ka qenë një ndër dosjet që ka shkaktuar përplasje të forta në politikën shqiptare, ku pretendohej se fliste vëllai i Fatmir Xhafajt, për çështje të trafikut të drogës. Më pas pati një hetim nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por pas ndryshimeve ligjore kaloi në Gjykatën e Tiranës.”, tha Lala.

Partia Demokratike dhe Ervin Salianji pretenduan që lidhjet me krimin mbaheshin nga vëllai i ish-ministrit pasardhës Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj.

Opozita akuzoi fort se si një i dënuar me 7 vjet heqje lirie në Itali jetonte i lirë në Shqipëri prej me shumë se 8 vitesh nga dhënia e dënimit në Itali. Në atë periudhe gazetari investigativ Jetmir Olldashi publikoi një tjetër video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si shofer i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm.

Pas denoncimit të tij opozita dhe Salianji denoncuan rastin në publik, për këtë u hap një hetim penal me kallëzimin e Agron Xhafajt ku Salianji akuzohet për shpifje.

Vlen të theksohet se gjithë prokurorët dhe gjyqtaret që kanë pasur çështjen dhe kane dhënë vendimin me 1 vit burg në shkallë të parë janë shkarkuar nga organet e Vetingut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb