Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëgjimin e dëshmitarit të dhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën speciale të Hagës. Mediat kosovare shrkuajnë se dëshmitari i nacionalitetit serb ka dëshmuar nën masa mbrojtëse, por në seancë të hapur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin 3540 ka thënë se në gusht të vitit 1998 ishte arrestuar nga disa persona, që ai pretendon se ishin pjesë e UÇK-së.

Ai pretendon se ishte mbajtur dhe keqtrajtuar për më shumë se një muaj në Bajgorë, për çka sipas tij urdhri ishte dhënë nga Latif Gashi.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se është ndalur më 2 gusht të vitit 1998 dhe se në atë kohë punonte roje pylli në Bradash.

Si rojtar pylli, dëshmitari ka deklaruar se mbante një armë, por sipas tij, të njëjtën nuk e kishte përdorur në momentin kur pretendon se e kishin arrestuar.

“Ndërkohë që po kontrolloja pyllin, në pikën e quajtur uji i mirë, e pash që po priteshin disa pemë kështu që shkova për të parë se çfarë po bëhej atje sepse bëhej fjalë për një pyll shtetëror. Uji i mirë është një përrua i madh dhe shkon për në Keqekollë, kur mbërrita atje pash që katër burra dolën nga asgjëja, meqë kishin armë automatike unë i ngrita duart, ata mu afrua, mi mbyllën sytë”.

“M’i lidhën duart pas shpine, ndërkohë që dy prej tyre vazhdonin që të prisnin dru atje. Ata ma morën pistoletën, thjeshtë me thanë ngriti duart, njëri prej tyre mu afrua dhe më mori pistoletën”, ka thënë ai.
Por, një dokument i cili u paraqit edhe në gjykatë, por jo për publikun, ishte i nënshkruar nga dëshmitari dhe thoshte se ai ishte përpjekur të qëllonte.

“Ky është një dokument që më dhanë kur më liruan, pra më dhanë këtë dokument i cili thotë se kur jam arrestuar dhe kur jam liruar, megjithatë, ky dokument nuk është pranuar në gjykatë, më thanë që ky ishte një dokument i falsifikuar që unë e kisha falsifikuar këtë dokument”.

“Ajo çfarë thuhet në këtë dokument është që arma zyrtare mu mor, pra pistoleta që kisha me vete ma morën dhe që unë isha përpjekur që të qëlloja në drejtim të anëtarëve të UÇK-së, megjithëse nuk do të mund ta kisha bërë dot një gjë të tillë. Megjithatë mu desh që të nënshkruaj këtë dokument në mënyrë që të lirohesha”, ka thënë ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb