Zhvillimet rreth procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës dhe lëvizjet ushtarake të Serbisë në rajon kanë nxitur reagimin e ish-deputetit Azgan Haklaj, i cili thekson se ndërsa faktori ndërkombëtar dhe Beogradi bëjnë kalkulime politike, vullneti popullor shqiptar e ka dhënë verdiktin e tij për pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së.

Haklaj nënvizon se pas rrëzimit të tezës për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, përballja juridike në Hagë është zhvendosur te përgjegjësia individuale. Ai paralajmëron se kjo formulim nuk duhet të shndërrohet në një mekanizëm për të prodhuar dënime të pjesshme pa prova konkrete. Paralelisht me këtë proces, ai ngre shqetësimin për stërvitjen ushtarake serbe “Pobednik 2026” në rrafshnaltën e Pešterit, ku janë angazhuar mbi 2,000 trupa ushtarake dhe 500 mjete të blinduara e luftarake.

Sipas tij, Beogradi po përpiqet të shfrytëzojë çdo skenar të mundshëm të vendimit të Hagës, ndërsa në bashkërendim me Mosken synon të rishkruajë narrativën e vitit 1999. Haklaj rikujtoi bilancin e krimeve serbe në Kosovë — me rreth 13,500 të vrarë, 800 mijë të dëbuar me dhunë dhe 20 mijë gra e vajza të dhunuara — duke theksuar se ndërhyrja e NATO-s dhe SHBA-së erdhi si përgjigje ndaj spastrimit etnik dhe katastrofës humanitare.

Në përmbyllje, ai bëri thirrje që shqiptarët të kërkojnë drejtësi historike për të gjitha krimet e kryera ndaj tyre ndër shekuj, përfshirë masakrat e Bihorit, Tivarit dhe tragjedinë e Çamërisë. Duke iu referuar marshimit të mbajtur në Prishtinë, Haklaj deklaroi se përballë kalkulimeve strategjike të të tjerëve, kombi shqiptar e ka shpallur tashmë verdiktin e tij për pafajësinë e çlirimtarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb