Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar para Gjykatës Speciale parashtresat për shqyrtimin periodik të paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Me anë të këtyre parashtresave ZPS kërkon që të vazhdohet masa e paraburgimit.

Sipas ZPS-së që nga vendimi më i fundit i këtij Paneli më 17 prill 2023, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që meritojnë devijimin nga ai vendim duke shtuar se ecuria e vazhdueshme e gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme do të vazhdojnë t’i japin Thaҫit dhe Veselit akses të mëtejshëm në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe çështjen kundër tyre e që kjo sipas tyre shfaq domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit.

Sipas tyre, ekziston dyshimi se Thaçi dhe Veseli janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Po ashtu thuhet se tri arsyet që justifikojnë ndalimin janë: 1) rreziku i arratisjes; 2) pengim i mundshëm; dhe 3) rreziku i krimeve shtesë, e që këto sipas ZPS-së janë mundësi reale.

Në parashtresë thuhet se fillimi i gjykimit e çon rrezikun e arratisjes në një nivel edhe më të lartë, pasi Thaçi dhe Veseli tashmë po shohin që provat kundër tyre po hyjnë vazhdimisht në rekord.

Po ashtu thuhet se kombinimi i vazhdimit të marrjes së një njohurie më të plotë për rastin kundër tyre, duke parë faktin se provat fajësuese hyjnë në procesverbal dhe duke u vënë në dijeni përmes rastit Mustafa për mundësinë reale të një dënimi të gjatë, e ngre rrezikun sipas ZPS-së të Thaçit dhe Veselit për t’u larguar.

ZPS pohon se Thaçi dhe Veseli vazhdojnë të paraqesin rrezik për pengim të procedurës.

Sipas tyre, ky Panel paraprakisht ka konstatuar se rrezikun se Thaçi dhe Veseli mund të pengojnë mbarëvajtjen e procedurës në DhSK dhe se Zyra e Prokurorit të Specializuar mendon se një rrezik i tillë vazhdon të ekzistojë.

Gjithashtu, thuhet se ZPS mendon se vazhdon të ekzistojë rreziku i kryerjes së krimeve të tjera dhe duke qenë se ky panel ka konstatuar një rrezik të tillë edhe paraprakisht, sipas tyre nuk ka ndonjë ndryshim të rrethana nga konstatimi i fundit lidhur me këtë çështje e që kjo përfshin edhe klimën e përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve në lidhje me krimet e UÇK-së.

Andaj, duke marrë parasysh këta faktorë të njëjtë dhe shtesë, ndalimi i Thaçit dhe Veselit sipas ZPS-së vazhdon të jetë i arsyeshëm.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb