Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të shpallë më 21 janar, në orën 11:45, vendimin për çështjen ndaj Leonard Dukës, për të cilin SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg.
Gjatë seancës, avokatja mbrojtëse Melina Gjeta i cilësoi konkluzionet e SPAK si të pabazuara në prova dhe në ligj. Sipas saj, dosja hetimore përmban vetëm deduksione të ndërtuara mbi një proces të paplotë dhe të paragjykuar, të mbështetur kryesisht në raportime mediatike.
Mbrojtja vuri në dyshim dëshminë e Blendi Tetës, duke theksuar se ai ka deklaruar para gjykatës se është kërcënuar dhe vënë nën presion nga Policia e Shtetit dhe persona të tjerë, çka sipas avokates përbën shkelje të rënda ligjore dhe e bën dëshminë të pavlefshme. Sipas saj, pretendimet e Tetës konfirmohen edhe nga dëshmia e të bashkëpandehurit Ilir Selmani, i cili ka deklaruar se janë dhënë 500 mijë euro për të “fundosur” vëllezërit Duka.
Avokatja Gjeta kundërshtoi gjithashtu motivin e pretenduar të vrasjes, duke theksuar se dy plagosjet për të cilat dyshohet se kanë lidhje me viktimën Santiago Malko janë ende pa autor dhe procedimet janë pezulluar. Sipas saj, prokuroria nuk mund të përcaktojë autorësi për ngjarje që nuk janë zbardhur nga organet kompetente.
Në seancë u kundërshtua edhe përdorimi i transkripteve të aplikacionit Sky, të cilat mbrojtja i cilësoi si prova të paligjshme, që cenojnë lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës. Sipas saj, përgjimi nga autoritetet franceze ka qenë masiv dhe jo i orientuar, ndërsa identifikimi i kodeve është bërë në mënyrë jo profesionale dhe jashtë procedurave standarde. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se nuk ka përdorur aplikacionin Sky.
Nga ana e tij, Leonard Duka u shpreh i pafajshëm, duke deklaruar se ndaj tij nuk ekziston asnjë fakt konkret dhe se çështja është e montuar për ta dëmtuar. “Kam besim te drejtësia,” tha ai para trupit gjykues.
Ndërkohë, nëna e viktimës Santiago Malko deklaroi para gjykatës se Leonard Duka është përgjegjës për vrasjen e djalit të saj. Ajo kërkoi dënimin maksimal për të pandehurin, duke u shprehur se nuk kërkon burgim të përjetshëm, por dënim me vdekje.
Vendimi i GJKKO-së për këtë çështje pritet të shpallet më 21 janar, në orën 11:45.
