Seanca gjyqësore për procesin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës u shty sot për shkak të mungesës së avokatit të të pandehurit Aldo Majnishta dhe vetë të pandehurit, i cili nuk ishte prezent në sallë.

Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm Dritan Rexhepi, i cili aktualisht ndodhet në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier. Gjatë seancës, avokatja e Rexhepit kërkoi që seancat gjyqësore të mos zhvillohen të premteve, duke argumentuar se i pandehuri duhet të qëndrojë në paraburgimin 313 deri ditën e hënë.

Rexhepi gjithashtu iu bashkua kërkesës së avokates, duke kërkuar që gjykimet të zhvillohen vetëm gjatë ditëve të tjera të javës.

Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesat, vendosi të pranojë shtyrjen e seancës si dhe të pezullojë afatet e paraburgimit për Aldo Majnishtën dhe Dritan Rexhepin deri në datën e seancës së ardhshme. Seanca e radhës u caktua për datën 3 shkurt, ora 14:00.

Të pandehurit në proces:
Dritan Rexhepi – I arrestuar
Aldo Majnishta – I arrestuar
Gentian Funiqi – Në mungesë
Korado Gështenja – Në mungesë
Martin Bleta – Në mungesë
Artan Doçaj – Në mungesë
Geraldo Martini – Në mungesë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb