KOSOVË- Prokurori i shtetit, Naim Abazi në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë që u mbajt ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjska, i propozoi gjykatës që të administrojë dy raporte juridike ndërkombëtare nga SHBA.

Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara të nxjerra nga sistemet zyrtare në Google dhe Meta që lidhen me llogarinë elektronike të të pandehurit Dushan Maksimoviq.

Prokurori Abazi tha se këto raporte gjithashtu përmbajnë materiale fotografike të ruajtura nga Google Photo, ku shihen armë, municion dhe persona të tjerë të përfshirë në hetim, të dhëna mbi kërkime dhe navigim në territorin e Kosovës përmes Google Maps.

“Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara të nxjerra nga sistemet zyrtare në Google dhe Meta që lidhen me llogarinë elektronike të pandehurit Dushan Maksimoviq. Këto përmbajnë të dhëna të abonentit, IP adresa për krijimin e llogarisë së tij me origjinë nga Serbia, numri i telefonit për rikuperim shtetëror të Serbisë, aktivizimi i shërbimeve si lokacion, histori që përmban të dhëna nga Google maps, Youtube dhe Android, lista e kontakteve të ruajtura në llogari të tij, ku përfshihen persona të identifikuar më bazë të aktakuzës dhe të akuzuar në këtë proces gjyqësor, materiale fotografike të ruajtura nga Google photo, ku shfaqen armë, municion dhe persona të tjerë të përfshirë në hetim. Po ashtu të dhëna mbi kërkime dhe navigim në territorin e Kosovës përmes Googel Maps, ngase analiza e kontakteve rezulton se ekzistenca e lidhjeve të drejtpërdrejta me të akuzuarit tregon ekzistencën e një rrjeti të komunikimit dhe ndërveprimit mes tyre. Nga analiza rezulton ora e fotografive, ku shfaqen armë dhe municion si dhe fotografi, ku i akuzuari paraqitet në shoqërinë e një rrjeti të komunikimt mes tyre. Këto prova janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Ljubomir Pantoviç kundërshtoi propozimin e Prokurorisë duke thënë se nuk është e mundur të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi i tij me këto prova.

“Sa i përket kundërshtimit unë në fillim do të them se në mënyrë të përgjithshme e kundërshtoj provat materiale, të cilat janë të propozuara që të administrohen në këtë shqyrtim. Këtë e bëj për shkak se nga kjo aktakuzë nuk është e mundur duke shikuar në mënyrë objektive që të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi im me këto prova. Përveç se në një rast ku flitet për gjurmët e barutit në rrobat e tij. Të gjitha të tjerat në shikim të provave që janë të cekura në aktakuzë ka të bëjë vetëm me përshkrimin e mënyrës, në të cilin është arrestuar Blagoje Spasojeviq”, kundërshtoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: