Shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë ka vënë përballë për të dytin vit radhazi në gjysmëfinale ekipet e Dinamos dhe të Vllaznisë, të cilat në edicionin e kaluar dhuruan një përballje që nisi një rivalitet shumë të ndezur mes tyre që vazhdon edhe në sezonin aktual.
Në gjysmëfinalet e edicionit të kaluar, Vllaznia priti në “Loro Boriçi” ndeshjen e parë, që u mbyll me shifrat 0-0, edse pse raste nuk munguan. Dueli i dytë në “Elbasan Arena” ishte ai që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit.
Dinamo shënoi katër gola e pashqetësuar dhe kur mbeteshin 30 minuta nga fundi, ishte në avantazh 4-0. Por shkodranët ia dolën të shënonin radhazi dhe çuan shifrat në 4-3 kur regjistrohej minuta e 85-të, duke ndezur takimin deri në vërshëllimën përfundimtare që dekretoi kalimin e Dinamos në finale.
Pikërisht nga ajo ndeshje lindi edhe rivaliteti mes ekipeve që u përsërit pak më vonë edhe në gjysmëfinalet e Kategorisë Superiore me “hakmarrjen” 2-1 të Vllaznisë e vazhdoi me edicionin aktual, ku dy ekipet nuk kanë ndalur thumbimet sa herë janë përballur me njëri-tjetrin. Padyshim edhe këto gjysmëfinale pritet të dhurojnë “shkëndija”.
