Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Crossline”, duke çmontuar një rrjet të dyshuar të trafikimit të shtetaseve të huaja me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, u arrestua Kenado Prela, 20 vjeç, banues në kryeqytet. I riu akuzohet për trafikim të shtetaseve të huaja, kryesisht nga Kolumbia, në bashkëpunim me një shtetas tjetër kolumbian ende të paidentifikuar, për të cilin vijojnë kërkimet.

Në vijim të operacionit, në një apartament me qira ditore në rrugën “Gjon Muzaka”, policia ka kapur në flagrancë 7 shtetase të huaja – 6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja, të moshave 27 deri në 35 vjeç, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion. Ato janë proceduar penalisht.

Gjatë kontrollit, u sekuestruan një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, 7 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Policia njoftoi se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit kolumbian, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Njoftimi:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Crossline”, për goditjen e veprimtarisë krimininale të trafikimit të shtetaseve të huaja, me qëllim shfrytëzimin e tyre, për prostitucion.

Vihet në pranga një 20-vjeçar, punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tij, i dyshuar shtetas kolumbian.

Procedohen penalisht 7 shtetase të huaja (6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja), pasi janë kapur në flagrancë në një apartament me qira ditore, ky dyshohet se ushtronin prostitucion.

Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 7 celularë dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Si rezultat i një hetimi disamujor të kryer me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Crossline”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi K. P., 20 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. P. bashkëpunonte me një shtetas kolumbian, ende i paidentifikuar, për të trafikuar në Shqipëri, shtetase të huaja, kryesisht nga Kolumbia, për t’i shfrytëzuar për prostitucion.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 7 shtetase të huaja (6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja), të moshave 27-35 vjeçe, të cilat janë kapur në flagrancë në një apartament me qira ditore, në rrugën “Gjon Muzaka”, ky dyshohet se ushtronin prostitucionin.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të shtetasit të arrestuar dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb