Një tjetër goditje ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike është finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin. Në kuadër të operacionit të koduar “Destinacioni”, forcat e rendit kanë prangosur dy të rinj të cilët udhëtonin nga qytete të tjera për të shpërndarë doza kokaine në qytetin e Laçit.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në pranga u vunë shtetasit G. M., 28 vjeç, banues në Lushnjë, dhe S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë. Të dy këta persona u lokalizuan dhe u bllokuan nga patrullat në lagjen nr. 6 të qytetit të Laçit, gjatë një kontrolli të ushtruar mbi automjetin me të cilin udhëtonin.

Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, e ndarë në 80 doza të gatshme për t’u shitur në tregun lokal.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dy të arrestuarit e siguronin lëndën narkotike, e ndanin atë në doza dhe më pas përdornin automjetin për shpërndarjen e saj në pika të ndryshme të qytetit të Laçit.

Në cilësinë e provës materiale, strukturat e policisë sekuestruan 80 dozat e kokainës, automjetin e përdorur për transportin e lëndës narkotike, si dhe 4 aparate celulare që do t’i nënshtrohen ekzaminimeve për zbardhjen e rrjetit të kontakteve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb