Policia spanjolle ka goditur një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të drogës dhe kontrabandës së emigrantëve që vepronte mes Spanjës dhe Algjerisë, duke arrestuar 78 persona, ndërsa 27 prej tyre janë lënë në paraburgim të përkohshëm.
Sipas autoriteteve, organizata kriminale përdorte motoskafe të fuqishme për të transportuar drogë sintetike, kryesisht MDMA, nga Spanja drejt Algjerisë. Në kthim, të njëjtat mjete lundruese përdoreshin për të transportuar emigrantë drejt brigjeve të Gadishullit Iberik dhe Ishujve Balearik.
Nga hetimet ka rezultuar se rrjeti kishte organizuar 64 udhëtime detare, gjatë të cilave janë kontrabanduar rreth 2.000 emigrantë në Spanjë, duke siguruar fitime që kalojnë 24 milionë euro. Kalimet kryheshin në kushte tepër të rrezikshme. Sipas policisë, emigrantët transportoheshin me motoskafe 8 deri në 14 metra të gjata, shpesh pa jelekë shpëtimi dhe në det të trazuar. Në disa raste, pasagjerët lidheshin me litarë për të mos rënë në det gjatë lëvizjes me shpejtësi të lartë.
Autoritetet bëjnë të ditur se çmimi për një vend në këto udhëtime arrinte deri në 12.000 euro për person, ndërsa në një motoskafë transportoheshin deri në 50 persona. Gjatë operacionit, policia sekuestroi 18 motoskafe të përdorura nga organizata, me një vlerë të përgjithshme që mund të arrijë në rreth 5 milionë euro.
Sipas hetuesve, trafikantët shfaqnin një nivel të lartë dhune për të mbrojtur mjetet e tyre, duke nxitur drejtuesit e motoskafeve të përplaseshin me forcat e policisë për të shmangur sekuestrimin. Policia spanjolle konfirmoi se mes 78 të arrestuarve ndodhen edhe katër drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Europol, si dhe me autoritetet policore të Francës, Portugalisë dhe Polonisë, pas një hetimi që kishte nisur në vitin 2023.
Sipas hetuesve, hetimi bëri të mundur identifikimin dhe çmontimin e një organizate kriminale ndërkufitare që kishte vepruar prej vitesh në Mesdhe, duke kombinuar trafikun e drogës me kontrabandën e emigrantëve. Autoritetet theksojnë se Ishujt Balearik, që përfshijnë Mallorkën, Menorkën dhe Ibizën, janë shndërruar vitet e fundit në një nga rrugët kryesore të emigracionit të paligjshëm nga Afrika e Veriut, veçanërisht nga Algjeria, drejt Evropës.
