Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me veprimtarinë e SPAK ndaj AKSHI-t, duke e lidhur kohën e nisjes së këtyre veprimeve me fundin e mandatit të Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Hoxha u shpreh se ngjarjet nuk janë rastësore dhe se ato u zhvilluan pikërisht në ditët dhe orët e fundit të Dumanit si drejtues i SPAK. Sipas tij, Dumani synoi ta mbyllte drejtimin e institucionit duke shënuar maksimumin e mundshëm në luftën kundër korrupsionit.
“Në rastin konkret, ngjarjet u zhvilluan pikërisht në këtë moment sepse ishin orët e fundit të Altin Dumanit në krye të SPAK-ut. Dumani donte ta mbyllte historikun e drejtimit të SPAK duke dëshmuar maksimumin e mundshëm, duke guxuar të shkonte deri te dera e Kryeministrisë,” u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe AKSHI-t kanë qenë prej kohësh në diskutim publik. “Belindën mund ta kapte edhe para zgjedhjeve, AKSHI? Flitej gjithnjë për të. Ata na dinë edhe grupin e gjakut,” tha Hoxha, duke theksuar nivelin e lartë të aksesit të këtij institucioni në të dhënat personale të qytetarëve.
Sipas gazetarit, nxitimi për të çuar përpara çështjen lidhet drejtpërdrejt me vendosmërinë e Dumanit për të firmosur aktet e fundit përpara largimit. “Dumani firmosi të martën kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend, ndërsa sot u paraqit kreu i ri i SPAK në Kuvend,” deklaroi Artan Hoxha.
