Sot, për të dytën ditë radhazi, News24 ka nisur transmetimin e tyre në mënyrë të improvizuar para portës hyrëse të televizionit, pasi nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e punës. Kjo ndodh pavarësisht vendimit të gjykatës së një dite më parë, që detyron kompaninë “KAYO” të mundësojë hyrjen e punonjësve të medias në vendin e punës.
I ftuari i parë në transmetimin e sotëm ishte Lefter Maliqi, i cili e cilësoi situatën si një “sulm të paprecedentë dhe arbitrar”. Ai akuzoi policinë e shtetit dhe atë ushtarake për veprime antiligjore, duke theksuar se hetimet duhet të kishin nisur që në ditën e parë.
“Unë e kam thënë që ditën e parë, këtu po ndodhte një çmenduri me veprime antiligjore. Kam qenë në klasë me Ardi Veliun dhe epror i tij në Tepelenë. Më vjen keq që nuk zbaton ligjin, por urdhrin politik. Kjo tregon që ky është më i rëndësishëm për të sesa ligji. Kur ishim studentë jemi betuar që do zbatojmë ligjin,” tha Maliqi.
