Në kodrat e buta të Elbasanit, ku ajri i freskët dhe toka pjellore takohen në një harmoni natyrore, ndodhet një fshat i vogël me një emër të madh, Godoleshi. I njohur si “fshati i qershive”, ky fshat i vogël prodhon çdo vit rreth 700 ton qershi, një frut që është kthyer në pasaportë krenarie për zonën dhe më gjerë.
Në këto ditë të ngrohta maji, në Godolesh të Elbasanit ka nisur periudha e vjeljes së qershive dhe fermerët janë të angazhuar pa pushim për të mbledhur frytin e punës së një viti të tërë. Xhevahir Ademi, një prej emrave më të njohur në kultivimin e qershisë, është simboli i rikthimit nga emigracioni dhe i suksesit në kultivimit të këtij fruti mjaft të shijshëm. Me 1,500 rrënjë qershi në plantacionin e tij, ai është një histori suksesi që nisi me emigracion, por u rrënjos fuqishëm në vendlindjen e tij .
“Këtë vit është shumë mirë,” thotë Ademi. “Dora e parë e qershisë shkoi 5-6 mijë lekë për kilogram për shkak të cilësisë së lartë, ndërsa dora e dytë është rreth 2,000–2,500 lekë. Kjo është qershi autoktone, vetëm Godoleshi e ka këtë varietet. Këtë vit, vetëm ne kemi prodhim pasi moti i ka dëmtuar zonat e tjera si Dibra, Korça, apo Berati. Kjo ka ndikuar në çmim dhe kërkesë, ndaj jemi shumë të kënaqur.”
Qershia e Godoleshit nuk është thjesht një frut i shijshëm , ajo është trashëgimi, ekonomi dhe shpresë për të ardhmen. Ky sezon ka qenë më i miri në 30 vitet e fundit, ku çmimi për kilogram ka arritur në 250 deri në 500 lekë, për shkak të mungesës së prodhimit në pjesën tjetër të vendit.
“Vijnë tregtarë çdo ditë nga Tirana dhe gjithë Shqipëria. Janë shtuar si asnjëherë më parë deri në 20 fugona apo kamiona në ditë,” tregon Ademi.Historia e Xhevahirit është një pasqyrë e kthimit në identitet. Dikur, ai kishte lënë fshatin e tij Godolesh dhe kishte emigruar në Greqi për një jetë më të mirë.
Por ishte vetë punëdhënësi i tij grek që i hapi sytë:“Më tha: ‘Kthehu në Shqipëri, qershitë e tua vlejnë më shumë se puna që bën këtu.’ Dhe kishte të drejtë. Kjo më bëri të rikthehem. Emigrimi nuk ishte zgjidhje. Këtu punoj për vete, pranë familjes. Kjo është gjëja më e mirë,” thotë ai me bindje.
Sot, Godoleshi është kthyer në simbol të bujqësisë së zgjuar dhe të qëndrueshme. Fermerët e këtij fshati kanë ruajtur një varietet autokton, kanë investuar në rrënjë dhe cilësi dhe kanë ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme pa asnjë ndihmë të jashtme.Kërkesat në rritje nga tregu vendas, cilësia e padiskutueshme e frutit, dhe çmimi i favorshëm këtë vit kanë bërë që fermerët të jenë më optimistë se kurrë. Dhe ndërsa Shqipëria përpiqet të gjejë rrugën drejt zhvillimit bujqësor, Godoleshi është një shembull që duhet ndjekur: një vend ku fruti i punës mbledh jo vetëm të ardhura, por edhe krenari.
(BalkanWeb)
