Një 30-vjeçar është arrestuar në Fier në kuadër të operacionit të koduar “Gold”, pasi u kap duke transportuar me një automjet luksoz “Porsche Cayenne” 13 lingota dhe monedha floriri, të dyshuara si të kontrabanduara. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti gjithashtu 4 mijë euro dhe 93 mijë lekë, për të cilat 30-vjeçari nuk dispononte dokumentacion që provonte origjinën apo burimin e tyre.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave Operacionale dhe “Shqiponja”, në kuadër të planit të masave për kontrollet ndaj automjeteve luksoze dhe verifikimin e burimit të parave me të cilat janë blerë.
Gjatë kontrollit të “Porsche Cayenne”-it, me drejtues shtetasin A.B., 30 vjeç, banues në Roskovec, u gjetën 9 monedha floriri dhe 4 lingota floriri, si dhe shumat prej 4000 eurosh dhe 93 000 lekësh. Më tej, policia ushtroi kontroll edhe në banesën e 30-vjeçarit, ku gjeti një leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, 30-vjeçari u arrestua për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet me vlerë, paratë dhe automjeti “Porsche Cayenne”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa pritet të nisë edhe hetimi pasuror për të dokumentuar burimin e sendeve me vlerë dhe parave të gjetura.
