TIRANE– Fill pas sekuestrimit të 700 kg hashash në një gomone në brigjet e Barit sot në Itali, ka reaguar Policia e Shtetit duke hedhur poshtë pretendimet se lënda narkotike nuk vinte nga Shqipëria. Burime zyrtare theksuan se gomonia ishte nisur nga brigjet e Barit dhe ishte kthyer sërish aty.

Mediat italiane raportuan se gjatë mesnatës së djeshme në radarin e policisë italiane ishte shfaqur një mjet lundrues që ishte ndaluar në zonën Torre a Mare. Policia ka shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur gomonen e mbushur me drogë. Lënda narkotike kapte vlerën e 5 milionë eurove në treg. Në pranga u vendos edhe një skafist italian i njohur, i ndaluar disa herë nga policia italiane për trafik droge. Skafisti i arrestuar është Renato Colasuonno, 64 vjeç.

REAGIMI I POLICISË SË SHTETIT
Pas lajmeve të publikuara nga disa media sot, për kapjen e një gomoneje me lëndë narkotike në brigjet italiane, Policia e Shtetit e cila është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët, sqaron se ajo nuk është nisur nga Shqipëria dhe se është kapur më datë 24 tetor 2016 në orët e para të natës.

Repartet operative italiane, konkretisht Karabinierët e Nuklit Operativ, të mbështetur nga Nukli aereomobil i Komandës Provinciale të Barit dhe Nuklit të 6-të të Helikopterëve si edhe nga Kapiteneria e Portit të Guardia Kostiera të Barit, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit italian me iniciale Colasuonno.R, 64 vjeç, me precedentë penal, si trafikant lëndësh narkotike.

Autori u kap në flagrancë me gati 700 kg marijuana, e paketuar në 28 pako. Gomonia u bllokua në Torre a Mare, në Bari, Itali. Nga hetimi rezulton se gomonia është nisur nga brigjet e Barit dhe është kthyer sërish në Bari.

Veprimtaria hetimore është e përqendruar në territorin italian dhe grupi kriminal është i përbërë nga shtetas italianë. Policia e Shtetit është duke bashkëpunuar intensivisht me homologët e saj në Itali në lidhje me zhvillimin e hetimeve nëse janë të përfshirë bashkëpunëtorë me shtetësi shqiptare.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: