Kultura si investim publik, infrastrukturë e identitetit tonë kombëtar, që prodhon vlerë ekonomike, pjesë e procesit të integrimit evropian, me institucione moderne. Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja ka prezantuar këtë të mërkurë, strategjinë kombëtare të Kulturës deri në vitin 2030. Drafti i hartuar nga një agjenci italiane pas një konsultimi me ekspertë, artistë e organizata vendase, sipas ministrit, synon tjetër qasje.

“Programet tona specifike parashikohen të shtrihen në tre nivele kryesore: Në nivel institucional dhe profesional, sepse Strategjia parashikon punë intensive për të nxitur vetëfinancimin dhe për të garantuar fuqizimin e institucioneve kulturore përmes planeve të reja të menaxhimit dhe sistemeve të integruara të menaxhimit të biletave, duke i dhënë paralelisht përgjigje një kërkese historike nga skena e pavarur siç është Statusi i Artistit dhe funksionalizimi i Këshillave Artistikë”, tha ai.
Ai përmendi se ajo shtrihet në nivel territori dhe bashkëpunimi lokal, që të strukturojë shtrirjen e politikave në çdo bashki të vendit si edhe në nivel zhvillimi dhe modernizimi, pasi ky vizion plotësohet përmes kolonave të digjitalizimit të plotë të arkivave tona, mbështetjes direkte për artizanët dhe shtrirjes së programeve edukative e artistike në çdo nivel.
Gonxhja kërkoi që publiku dhe grupet e interesit të konsultohen me draftin, për të dhënë vërejtjet e tyre, jo vetëm si proces informimi.

Duke përmendur financimin publik dhe partneritetin publik-privat, Gonxhja këmbëngul te kultura si instrument kundër shpopullimit, pasi sipas tij, që të rinjtë të qëndrojnë në qytetet dhe fshatrat e tyre, duhet të ketë jetë kulturore.

Ministri tha se strategjia merr jetë përtej një dokumenti vetëm kur shndërrohet në veprime konkrete që ndikojnë në përditshmëri, kur kthehet në një bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve dhe komunitetit krijues, mes politikës dhe shoqërisë, dhe kur krijon marrëdhënie që prodhojnë dialog, projekte dhe vlerë për qytetarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb