Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe kryetarja  e re e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji zhvilluan sot një takim në ambientet e Gjykatës ku ambasadori i BE-së,  rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për sundimin e ligjit në Shqipëri si dhe rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Gonzato vuri në dukje se Gjykata Kushtetuese ka arritur një nivel të qëndrueshmërisë dhe funksionimi, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, duke ruajtur cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.

Në këtë takim, ambasadori konfirmoi gjithashtu planet për të përfshirë gjykatën në projektet e ardhshme të BE-së dhe për të mbështetur përpjekjet e saj për harmonizimin e praktikës gjyqësore shqiptare me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor është thelbësor për integrimin evropian, ku Gjykata Kushtetuese mbetet një partner kyç.

Postimi i plotë

“Pata kënaqësinë të uroj Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe të rikonfirmoj angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Gjykata ka arritur tashmë nivelin e nevojshëm të stabilitetit, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, ndërkohë që vijon të ruajë cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.
I konfirmova Kryetares Papajorgji se planifikojmë ta përfshijmë Gjykatën si përfituese në projektet tona të ardhshme dhe të mbështesim përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e BE-së. Bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për integrimin evropian, dhe Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë proces,” Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb