Google po ashpërson rregullat për faqet e internetit që përdorin autorë të sajuar, fotografi të krijuara nga inteligjenca artificiale apo kualifikime të rreme për t’i dhënë më shumë besueshmëri përmbajtjeve të tyre.
Gjiganti teknologjik ka rishikuar udhëzimet për kërkimin, duke e klasifikuar tashmë qartësisht si “mashtrim” përdorimin e profileve të rreme të autorëve. Në këtë kategori përfshihen emrat e sajuar, biografitë dhe eksperiencat profesionale të rreme, si edhe fotografitë e gjeneruara nga inteligjenca artificiale që paraqiten sikur u përkasin personave realë.
Ndryshimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për faqet që mbështeten në praktika të tilla, pasi ato rrezikojnë të humbasin pozicionet dhe dukshmërinë në rezultatet e kërkimit të Google.
Masa është pjesë e politikës së kompanisë për promovimin e përmbajtjeve të dobishme dhe të besueshme, të krijuara në radhë të parë për njerëzit dhe jo thjesht për të manipuluar algoritmet e motorëve të kërkimit.
Deri më tani, Google u kërkonte faqeve të tregonin qartë se kush qëndronte pas një artikulli dhe të ofronin informacione që ndihmonin në vlerësimin e përvojës, ekspertizës, autoritetit dhe besueshmërisë së autorit. Me udhëzimet e reja, qëndrimi bëhet dukshëm më i prerë: informacioni i rremë për autorësinë konsiderohet një sinjal i cilësisë së ulët dhe cenon besueshmërinë e faqes.
Në qendër të debatit që çoi në forcimin e këtyre rregullave ishte edhe një investigim i revistës “Futurism” mbi kompaninë Brown Brothers Media.
Sipas investigimit, kompania kishte blerë faqe lajmesh që ndodheshin në vështirësi dhe i kishte shndërruar në një rrjet të automatizuar për prodhimin masiv të përmbajtjeve të optimizuara për motorët e kërkimit. Në këto faqe shfaqeshin gazetarë që në të vërtetë nuk ekzistonin, të pajisur me biografi dhe eksperienca profesionale të sajuara.
Nëpërmjet kësaj skeme prodhoheshin mijëra artikuj, një pjesë e të cilëve rezultonin të kopjuar ose mbështeteshin në përvoja personale që autorët e pretenduar nuk i kishin pasur kurrë.
Modeli funksiononte kryesisht falë trafikut që vinte nga Google. Por pasi rrjeti u ekspozua dhe faqet u përjashtuan nga Google Search dhe Google News, aktiviteti i tij pësoi një goditje të menjëhershme.
Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në Kanada dhe në disa shtete amerikane, ku media të ndryshme janë vënë në qendër të kritikave pasi në profilet e autorëve të tyre janë zbuluar të dhëna të rreme dhe mospërputhje sistematike.
Megjithatë, masat e Google nuk i kanë shuar kritikat. Analistët ngrenë pikëpyetje nëse ndërhyrja është e mjaftueshme në një kohë kur vetë kompania po investon fuqishëm në integrimin e inteligjencës artificiale në motorin e saj të kërkimit.
Kritikat përqendrohen veçanërisht te përmbledhjet e gjeneruara nga AI në Google Search, të cilat janë përballur me raste gabimesh dhe akuza se ulin dukshmërinë e burimeve origjinale të informacionit.
Me rregullat e reja, megjithatë, Google jep një sinjal të qartë për faqet që përdorin identitete artificiale për të krijuar përshtypjen e autoritetit dhe ekspertizës: autorët e sajuar dhe kredencialet e rreme mund të kthehen tashmë në një problem serioz për praninë e tyre në rezultatet e kërkimit.
