TIRANE– Autorët e grabitjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet më 8 gusht, ishin përpjekur të mos linin shenja në vendngjarje. Por me sa duket një detaj u ka shpëtuar. Ka qenë një gjurmë gishti, që pas ekspertizës ka rezultuar se i përkiste 37-vjeçarit Roland Liti (Zekaj), ajo çka ka “tradhtuar” grabitësit, dhe ka çuar në identifikimin e tyre.
Pikërisht një ditë pas grabitjes së bankës, 37-vjeçari Roland Liti (Zekaj) së bashku me 23-vjeçarin Alan Babamato, kanë udhëtuar jashtë vendit, drejt Malit të Zi.
Ditën e sotme, rreth orën 17:30 policia arrestoi 3 autorët e grabitjes së bankës pas një pune intensive hetimore.
Në pranga u vunë shtetasit Roland Liti (Zekaj), 37 vjeç, Alan Babamato, 23 vjeç, dhe Robert Kulla, 35 vjeç.
(el.sp/BalkanWeb)