Një ekspozitë nën titullin “Gradishta – Tempus Captum” realizuar nga Mikaela Minga, Orestia Kapedani dhe Frekli Vjero, bashkon imazhet, zërat dhe kufijtë e dukshëm e të padukshëm të kampin të internimit dhe të punës në Gradishtë të Lushnjës. Në një vend që përsërit historinë për shkak të instalimit të kulturës së pandëshkueshmërisë, çdo qasje hulumtuese, artistike dhe estetike që na përball me faje e gabime që prekin kufijtë e krimeve, ndërgjegjëson sadopak shoqërinë për rolin e individit në mesin e masave. Në këtë kuptim, përballja me të shkuarën nuk ka rolin e mëshirimit të ish të dënuarve, as qetësimin e tyre, por mbetet një detyrim i një shoqërie të civilizuar në procesin e saj për të mbetur e civilizuar ose për të kaluar nga një sundues në tjetrin.

“Megjithë fshirjen gjeografike të toponimit, arkeologjia e dikurshme e Gradishtës-Sektor është ende e prekshme, e shikueshme dhe e dëgjueshme. E gjurmojmë ne heshtjen dhe shkatërrimin gradual të vendbanimeve të atyre që u larguan pasi ra regjimi; por sidomos tek ata që, për arsye të ndryshme, vazhduan të jetonë aty edhe giatë këtyre 35 viteve. E kapim gjithashtu tek banoret e ardhur pas viteve ’90-të, kryesisht nga verilindja e Shqipërisë dhe te kontrasti midis atyre qe kane mundur të ngrenë shtëpi të reja, disa ngelur edhe ne tentative, dhe atyre të vendosur në të vjetrat, përfshi edhe barakat famëkeqe. Por, mbi të gjitha e gjurmojmë tek përvoja njerëzore dhe te mënyra si dilemat e vështirësitë e së sotmes, projektohen shumë shpesh në të shkuarën”, shkruan muzikologia Mikaela Minga në tekstin e ekspozitës. Për të, kësisoj e shkuara vjen e përndjek të tashmen, si e vëren me të drejtë, një nga personazhet e ekspozitës, znj. Mynyre, kur thotë, se po u përndoqe njëherë, do jesh i përndjekur gjithë jetën.

Në një intervistë për Neës24, Minga ndalet në elemente të ekspozitës dhe të kujtesës, duke vënë në pah nevojën tonë për të kujtuar. Ajo vëren se Gradishta e këtij instalacioni nuk është thjesht një lokacion, por një habitus. “Përmes këtij binomi mes fotografisë analoge dhe tingullit të regjistruar në terren e më pas të kompozuar në trajtën e preludeve tingullore, kërkojmë të përcjellim qoftë përmasën fizike të këtij mjedisi, po aq edhe atë jetësore, shpirtërore”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb