Kanë mbetur edhe 50 ditë nga ndeshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës, që do të jetë e para për të dyja skuadrat në Grupin A. Nëse kuqezinjtë janë debutues në këtë kompeticion, helvetët shihen si favoritë pas Francës për të kaluar fazën e grupeve.

Mirëpo, nëse dikush është duke menduar të gjejë një ndeshje më shumë emocionuese sesa kjo, po lodhet kot. Bëhet fjalë për një përballje mes dy Kombëtareve, por më shumë edhe mes dy vëllezërve. Graniti dhe Taulanti do të jenë kundërshtarë për 90 minuta në një ndeshje të vlefshme për finalet e Europianit.
Në një rrëfim për mediat helvete, vëllai i vogël i këtij dueli, edhe pse më i famshmi, ka rrëfyer emocionet për këtë takim si dhe ka bërë me dije edhe një zgjidhje se si do ta përballojnë të gjithë presionin.

“Mënyra më e mirë për këtë përballje do të jetë që të dy ne të dalim nga fusha pas minutës së dytë”, është përgjigjur me batutë dhe të qeshura Granit Xhaka gjatë intervistës së tij dhënë për “aargauerzeitung.ch”. Mesfushori i kombëtares helvete ka vijuar më tej me seriozitet.
“Unë dhe Taulanti jemi profesionistë dhe do të dimë si të përballojmë emocionet në këtë ndeshje. Megjithatë, më duhet të them se pa diskutim që për secilin prej nesh kjo do të jetë fitorja më e bukur”, ka vijuar Xhaka.

Mesfushori i Mynshengladbahut, si në çdo intervistë të tijën, nuk e fsheh marrëdhënien që ka më të vëllanë. “Ai është frymëzim për mua. Me Taulantin flasim çdo ditë dhe jemi gjithmonë pranë njëritjetrit kur secili ka nevojë. Ai është shoku im i ngushtë”, ka deklaruar Xhaka.

Zgjedhjet – Nuk mund të mungojë kurioziteti se si ka ndodhur që vëllezërit të bëjnë zgjedhje të ndryshme, sa i përket Kombëtares. “Është e thjeshtë. Unë kam zgjedhur Zvicrën, pasi ajo u interesua për mua në një moment që Shqipëria jo. E anasjellta ndodhi me Taulantin”, është shprehur vëllai i vogël i Xhakave futbollistë.

Taulanti – Graniti ka folur edhe për karrierën e vëllait të tij. “Ai është rritur shumë në aspektin profesional. Periudha që ka qëndruar te Grasshopers i ka shërbyer shumë, jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri. Tani ai është formuar dhe ka një rol kyç te Bazeli. Kam dëgjuar shumë të flitet për kalimin e tij te Mynsheni, por unë në klub nuk kam folur me askënd. Nuk kam pse ta bëj diçka të tillë, pasi nuk dua të përfshihem. Të gjithë e dinë tashmë që ka një tjetër Xhaka që luan në Zvicër dhe unë nuk dua të influencoj”, ka shpjeguar Graniti.

Zvicra – Është diskutuar shumë se ai mund të jetë një nga kandidatët për të marrë shiritin e kapitenit në Kombëtare, për shkak të mungesës së Inlerit, ndërkohë që Graniti jep edhe shpjegimin e kombëtares helvete, duke përmendur edhe skuadrat favorite për fitimin e Europianit.
“Unë jam vetëm 23 vjeç dhe kam shprehur vetëm dëshirën që të luaj në qendër. Kaq! Nuk ka asnjë të vërtetë me atë që është shkruar se unë dua të komandoj, pasi ka të tjerë lojtarë me eksperiencë që duhet të jenë liderë. Zvicra nuk ka Mesin dhe nuk është as Brazili.

Ne duhet të vrapojmë të gjithë dhe të jemi një grup, pasi vetëm kështu mund t’ia dalim. Te ne nuk duhet të thotë askush: ‘Unë jam ylli’. Gjermaninë e shoh favorite, ndërkohë që edhe Franca e Belgjika nuk mendoj se mbeten pas. Synimi ynë do të jetë që të kalojmë grupin”, ka përfunduar Granit Xhaka.
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: