PRISHTINE-Qamile Tahiri, 23 vjeçe, së bashku me dy fëmijët e saj, më i madhi vetëm pesë vjeç, ka gati një vit që jeton përkrah terroristëve të “Shtetit Islamik” në Siri (ISIS). Kjo grua e re nga Mitrovica, fillimisht është nisur në drejtim të “Tokës së Shamit”, për të qëndruar afër bashkëshortit të saj Besim Tahiri, i cili atje kishte shkuar disa muaj para saj, por sot Qamilja ka kapur armët për të luftuar krah ISIS-it.

Një tjetër grua nga Gjilani, Shqipe Ajdini, bashkë me burrin e saj Sinan Muji, dhe vajzën Sara, vetëm tre vjeçe, në muajin gusht të vitit 2014, i ishte bashkangjitur luftës së “Shtetit Islamik” në Siri. Shqipja 30 vjeçe, ka pak muaj që është kthyer në Kosovë, me ndihmën e babait të saj Ilaz Ajdini, rreth një muaj pasi bashkëshorti i saj Sinani ka vdekur nga sulmet ajrore në Irak.

Mihane Baleci, është 23-vjeçarja tjetër, nga Drenasi, bashkëshortja e të burgosurit nën dyshimin për terrorizëm, Fitim Lladrovci, po ashtu ka qenë pjesë e ISIS-it.

Historitë e tyre janë të ndryshme, por kanë një gjë të përbashkët: vijnë nga familje të varfra, nuk kanë shkollim të lartë dhe mbi të gjitha asnjëra prej tri grave nuk vjen prej familjeve me ideologji “ekstreme”.

Kosovarja “Zëri” sjell reportazhin nga familjet dhe të afërmit e tyre, të cilët tregojnë sesi fëmijët e tyre iu bashkuan ISIS-it.

Jeta e tyre para dhe pas bashkimit me ISIS-in

Qamile Tahiri nuk i kishte mbushur akoma 18 vjec kur ishte takuar me Besim Tahirin, që më pas u bë bashkëshorti i saj, me të cilin ishin bashkëmoshatarë. Të dy nga fshati Shipol i Mitrovicës, vinin nga familje të varfra. Menjëherë pas shkollës së mesme, Qamilja martohet me Besimin. Pa shkollim të lartë, të papunë, të dy kohën më të madhe e kalojnë duke praktikuar islamin, kurse Qamilja duke u përkujdesur edhe për fëmijën e parë që lindi shpejt, djalin Uvejs, tregon për “Zërin”, një anëtare e familjes së Qamiles, (emri i njohur për gazetën), e cila ka pranuar të rrëfejë pak nga jeta e saj, në kushte anonimiteti. Para martesës Qamilja kishte shami në kokë, por pas martesës ajo mbulohet krejtësisht më të zeza, përfshirë edhe fytyrën. Para më shumë se një viti, Qamiles i thotë bashkëshorti se ka vendosur të shkojë në shkollë në Egjipt (shkollë për fenë islame), por në realitet ai kishte shkuar në Siri, vazhdon rrëfimin ajo. Qamilja, tashmë me dy fëmijë, vinte nga një familje me mentalitet të tillë, “që nuk lejon gratë të qëndrojnë pa bashkëshortin sepse konsiderohen të veja”.
“E papunë, e pashkolluar, e varfër, pa asnjë mbështetje, Qamilja vendos t’i bashkëngjitet burrit të saj në Siri. Nuk e di si ka arritur të shkojë, as kush i ka ndihmuar, por ajo ka shkuar së bashku me dy fëmijët, më i madhi vetëm 5 vjeç”, tregon më tej kjo e afërt e familjes së Qamiles. Sot, Qamilja akoma vazhdon të jetojë në Siri bashkë me dy fëmijët, djalin pesë vjeç, Uvejsin, dha vajzën dy vjeçe Fatime. Vetë Qamilja ka ndërruar edhe emrin, në Siri njihet si “Ummu Uvejs”, ndërsa posedon edhe faqe në rrjetin social “Facebook”. E mbështjellë krejtësisht në të zeza, me armë në dorë ajo shihet në krah të ISIS-it.

Babai që bëri gjithçka për të kthyer vajzën në shtëpi

Të rrallë janë ata që i bashkëngjiten luftës në Siri, dhe më pas arrijnë të kthehen në Kosovë. Edhe nëse duan të kthehen, nuk lejohen nga ISIS-i. Por para pak muajsh, në fillim të tetorit 2014, Ilaz Ajdini, arrin që nëpërmjet disa personave, emrat e të cilëve nuk dëshiron t’i tregojë, të kthejë nga Siria në Kosovë, vajzën e tij, Shqipe Ajdini, dhe mbesën trevjeçare Sarën. Shqipja jeton sot në banesën e prindërve bashkë me vajzën, pasi që burri i saj Sinan Muji, i cili në Siri njihej me emrin “Ebu Sarah”, ka vdekur në shtator nga sulmet ajrore kundër ISIS-it, pas vetëm një muaji që i ishte bashkangjitur luftës, tregon për “Zërin”, Ilaz Ajdini. Në gusht 2014, Shqipja bashkë me bashkëshortin dhe vajzën trevjeçare nisen për në Siri, pa i treguar askujt. Dy familjet edhe ajo e Sinanit edhe e Shqipes e marrin vesh që çifti ka shkuar në Siri, kur ata lajmërohen pasi që mbërrijnë atje.

(d.b/Zeri/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: