Qeveria konservatore e Greqisë ka propozuar ndalimin e protestave në “Varrin e Ushtarit të Panjohur” në Athinë, gjë që ka sjellë reagime të forta nga opozita greke.
Partitë opozitare pretendojnë se ky veprim është një përpjekje për të ndaluar zhvillimin e tubimeve antiqeveritare në vend.
Ndërkaq, qeveria në drejtim të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ka paraqitur ditën e sotme një ndryshim në ligjin lidhur me kujdesin e monumentit, duke sjellë debate të ashpra parlamentare.
Katër nga partitë e opozitës kanë qenë kundër kësaj çështjeje, duke thënë se ligji është antikushtetues dhe kufizon të drejtën e qytetarëve për liri shprehjeje dhe proteste.
Gjithashtu, është shpallur një protestë nga partia e majtë Syriza, e cila pritet të zhvillohet mbrëmjen e sotme.
Monumenti i “Varrit të Ushtarit të Panjohur” njihet si një pikë turistike tepër e njohur dhe aty shpesh janë zhvilluar demonstrata antiqeveritare.
Ligji i ri parashikon se turistët do të lejohen t’a vizitojnë por në rast protestash, qytetarët do të gjobiten ose do të përballen me deri në 1 vit burgim.
