Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e dyfishtë që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Greqi, në zonën e Messinia ku viktimat janë pronari grek i një kampingu, 70-vjeç dhe një mik i tij, kujdestar në kamping, afërsisht 50 deri në 55 vjeç i cili dyshohet të jetë shqiptar.

Mediat lokale shkruajnë se një sulmues i panjohur hyri në recepsionin e kampingut dhe qëlloi 70-vjeçarin, i cili ndodhej aty në atë kohë, duke e plagosur për vdekje.

Krimi ndodhi në sy të 55-vjeçarit, i cili u përpoq të arratisej, ku sulmuesi i panjohur qëlloi edhe atë, duke e vrarë.

Menjëherë më pas, autori i krimit u largua nga vendi i ngjarjes.

Policia u njoftua nga fqinjët dhe ka gjetur në vendngjarje dy viktimat të mbuluar me gjak në recepsion.

Besohet se arma e autorit të krimit ishte një pushkë gjahu .

Oficerët e policisë së nëndrejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Messinia po mbledhin të gjitha provat për të arritur te autori i krimit të dyfishtë, ndërsa sipas informacioneve duket se autori dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin.

Sipas informacioneve ekskluzive nga MessiniaLive , pak kohë më parë, në verë, mes tyre kishte ndodhur një incident i rëndë, por pa asnjë pasojë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb