Paris – Aktivistja suedeze Greta Thunberg ka dalë në mbështetje të nxënësve francezë, të cilët po protestojnë prej disa javësh kundër problemeve të shumta në sistemin arsimor. Ajo mori pjesë të martën në një tubim pranë një shkolle të mesme në Saint-Denis, në zonën veriore të kryeqytetit francez.

Të rinjtë kërkojnë përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore, duke ngritur shqetësime për mungesën e mësuesve, numrin e lartë të nxënësve në klasa dhe amortizimin e godinave shkollore.

Lëvizja protestuese ka vijuar për katër javë radhazi, duke përfshirë demonstrata dhe pengimin e zhvillimit normal të mësimit në shumë institucione. Disa prej tubimeve janë shoqëruar edhe me tensione dhe përballje me forcat e rendit, sipas raportimeve të Reuters.

Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, bëri të ditur në një intervistë për radion France Inter se afro 200 shkolla nuk kishin zhvilluar mësim. Sipas tij, në disa raste, mbyllja mund të jetë vendosur për të garantuar sigurinë, për shkak të marshimeve të organizuara në zonat përreth.

Gjatë vizitës së saj në gjimnazin Paul Eluard, një prej pikave ku morën hov protestat, Thunberg shprehu solidaritet me të rinjtë francezë dhe kërkesat e tyre për arsim më cilësor.

Aktivistja theksoi se zëri i nxënësve po dëgjohet edhe përtej kufijve të Francës dhe se përpjekjet e tyre për të mbrojtur të drejtat duhet të shërbejnë si shembull për të rinjtë e tjerë.

E njohur fillimisht për fushatat kundër ndryshimeve klimatike, Thunberg ka zgjeruar ndër vite angazhimin e saj edhe në çështje të tjera sociale dhe politike.

Ajo vuri në dukje se problemet e financimit të arsimit, përkeqësimi i klimës dhe pabarazitë shoqërore janë sfida që prekin drejtpërdrejt brezin e ri. Sipas saj, të rinjtë duhet të përfshihen më aktivisht në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre.

Thunberg shprehu gjithashtu pakënaqësi për mënyrën se si policia ka ndërhyrë gjatë demonstratave, duke e cilësuar reagimin e saj tepër të ashpër. Ajo akuzoi autoritetet se po mbrojnë sistemin aktual, në vend që t’u japin përgjigje shqetësimeve të ngritura nga nxënësit.

Protestat në Francë po e vendosin sërish arsimin në qendër të debatit publik, ndërsa nxënësit kërkojnë më shumë investime, kushte më të mira mësimdhënieje dhe vëmendje më të madhe ndaj nevojave të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: