Avokati i Popullit në Kosovë ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për ndaljen e pagës së shtatorit për mësimdhënësit që ishin pjesë e grevës së SBASHK-ut.

Avokati i Popullit ka thënë se mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre.

“Në një gjendje edhe ashtu të brishtë, e kjo nuk do t’i kontribuojë dialogut social dhe përmirësimit të situatës së krijuar”.

“Rithekson rëndësinë që ka ruajtja e kohezionit social në periudhën kur sapo kemi dalë nga një situatë e vështirë për shkak të mos fillimit në kohë të vitit të ri shkollor”.

Gjithashtu Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut.

“Po ashtu detyrimet për sigurimin e paqes sociale në vend si dhe për domosdoshmërinë që autoritetet ta garantojnë përdorimin e standardeve të njëjta sa i përket grevës, për situata të ngjashme, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë”.

“Në këtë periudhë është e rëndësishme që qeveria, me secilin veprim dhe masë që merr, të kontribuojë në zbutjen e krizës së rëndë të krijuar si rezultat i kësaj gjendjeje”, thotë Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb