NGA SPARTAK KOKA*
TIRANË- Bashkëshortja e Fatmir Haklajt ish-kapos së bandës së Tropojës dhe një prej të akuzuarve si vrasës i Azem Hajdarit, ka denoncuar në polici se e kanë kërcënuar me jetë.
Burime të sigurta nga blutë e Tiranës i thanë Neës24 se Anila Haklaj, 38 vjeç në kallëzimin e bërë para oficerit të policisë gjyqësore ka deklaruar se është kërcënuar me anë të një letre, të cilën e kishin futur në një zarf dhe e ka gjetur tek pragu i derës.
Sipas Anila Haklajt, në letër kërcënuesit kishin shkruar se do ta vrisnin atë dhe vajzën e saj 15-vjeçare duke mos dhënë shpjegime të mëtejshme.
Në zarfin që ka gjetur në pragun e banesës ku jeton me qira 38-vjeçarja ka konstatuar një fishek automatiku kallashnikovi.
Anila Haklaj ka shpjeguar se ky kërcenim i vjen si rrjedhojë e faktit që është e veja e Fatmir Haklaj, shtetas ky i vrarë në vitin 1999, në Tropojë. Pas denoncimit Anila Haklaj ka kërkuar mbrojtje të menjëhershme nga ana e strukturave të policisë pasi ndihet në rrezik real për jetën.
Policia e Tiranës ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale letrën për të ekzaminuar gjurmë gishtash dhe prova nga autorët.
(m.k/BalkanWeb)
