TIRANE-Elona Çaushi, bashkëshortja e Gjin Gjonit, pronare në 6 biznese rrëfehet në një intervistë për “Panorama”.
Tregon prapaskenat e ILDKP sipas saj me skenar keqdashës, qe bashkoi mekanikisht deklaratat e pasurisë.
Në politikë dhe në sistemin e Drejtësisë njihet si gruaja e Gjin Gjonit. Në qarqet diplomatike, njihet si vajza e ambasadorit Shpëtim Çaushi. Ndërsa në biznes këta dy burra njihen si familjarët e Elona Çaushit.
Pronare e vetme me 100 për qind aksione “Duty free”, “Furla”, “Bio Gourmet”, “German Market” etj., ajo është ndër femrat e rralla (mbase e vetmja) që u kthye nga Gjermania në Shqipëri për të investuar, atëherë kur të tjerët po emigronin pas zhgënjimit të vitit 1997.
Gradualisht Elona Çaushi shndërroi dyqanet e saj në një “perandori” biznesi, por pa u përmendur ndonjëherë për evazion doganash, tatimesh apo probleme të tjera ligjore me shtetin… derisa u martua me gjyqtarin e Apelit, anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni.
“Që kur sulmi kundrejt bashkëshortit tim filloi, e kisha më se të qartë skemën që e dyta në radhë do të isha unë, d.m.th. bizneset e mia. Çdo biznes i imi është gjobitur në mënyrë të pandërprerë dhe persistente”, thotë Elona Çaushi, teksa flet ekskluzivisht për gazetën “Panorama”.
Kjo është intervista e parë e saj, që kur sulmet mediatike nisën vitin e kaluar, për t’u përforcuar me kallëzimin penal të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Dhe si rrëfim i parë, gjithçka nis nga fillimi…
“Në atë kohë kisha mbaruar studimet në Gjermani dhe isha shkëputur nga puna dhe idenë e kam pasur vetëm unë, pa ndonjë shtytje. Ideja më ka ardhur papritur, ndoshta nga udhëtimet nëpër aeroporte të ndryshme, duke parë dhe ambientet tregtare në to, dhe mendoja pse jo në Shqipëri. Nganjëherë idetë spontane janë të suksesshme. Gjithmonë idetë në biznes shoqërohen edhe nga risku, që është normal, por në rastin konkret rezultoi i suksesshëm”.
E pyetur se kur nisi bizneset, ajo shprehet “Biznesin nuk e kam nisur në 1997, por krijova firmën që drejtoj dhe sot në atë vit. Biznesin e nisa një vit e gjysmë më vonë”.
Ndersa lidhur me veshtiresite, Elona Caushi thote se; “Vështirësitë ishin të shumta, që nga boshllëku në aspektin ligjor, pasi bëhej fjalë për një aktivitet që zhvillohej për herë të parë, deri te nocioni “ekstra territorial” i ambientit të Aeroportit të Rinasit, që nuk konceptohej në atë kohë. Vështirësitë konsistonin në çdo gjë që kishe në mendje të bëje dhe prekje. Disa herë ia vija të mosditurit, disa herë edhe keqdashjes dhe nxirjen e gjërave pa shkaqe reale. Në atë kohë shumicën e gjërave duhej ta realizoja vetë. Filloje të mësoje, në një farë mënyre çdo gjë që nga letrat, deri te ndërtimi i ambientit. Kur e kthej kokën mbrapa, qesh me ca gjëra që them duhej t’i bëja ndryshe, por prapë ngushëllohem me faktin që jam në gjendje të qesh dhe kjo korrigjon vetveten dhe mendoj se është pozitive”.
(d.b/BalkanWeb)
