NGA FATMIRA NIKOLLA

TIRANE- Në të njëjtin shtet, në të njëjtën kohë (dhe në kohë të ndryshme), pamje të ndryshme grash. Një grua me barrë në shpinë dhe me një kosh në dorë, gra në plazh buzë varkash, gra në krye të detyrave që u kishte besuar shteti komunist, gra të ulura në shkallë, të veshura sipas modës së kohës, gra të kooperativave bujqësore të Përrenjasit, pjesëtare të çetave territoriale gjatë stërvitjes ushtarake, mandej, gra saldatore, tornitore, traktoriste, fonditore, punëtore të kantierit detar, ose të repartit të prodhimit të kartolinave, të gjitha stakonoviste (punëtore të dalluara) arkitekte, infermiere, mësuese, gra që luftonin analfabetizmin, gra që mësonin zanatet, gra aktore, soprano, teniste, gra në timon, me makina të bukura, pesë nuse (bashkë me dhëndurët) që u martuan ditën që u martua mbreti Zog me shpenzimet e shtetit. Janë 130 fotografi që tregojnë “Gruan shqiptare”.

130 imazhe të gruas për pothuaj një shekull, herë me veshje popullore e herë me allafrënga, herë gra në karrierë e herë shtëpiake. Zanate të harruara në imazh të rralla që hedhin dritë mbi të shkuarën, e afërme a diç më të largët për të sjellë imazhin tonë të humbur, e herë-herë për të kujtuar dhe krahasuar të tashmen tonë, që shpesh është krejt njësoj me vitet kur gruaja nuk gëzonte as të drejtat më elementare. Jeta dhe kontributi i grave shqiptare në fusha të ndryshme të jetës përmblidhen në ekspozitën “Kujto”, që mund të vizitohet në Qendrën TEN në rrugën “Myslym Shyri”.

Ekspozita vjen nga Qendra Kulturore “Horizontet e Reja” në bashkëpunim me një universitet privat, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe këshillimin e Prof. Dr. Valentina Dukës. Ekspozita “Kujto” përmban foto të periudhave të ndryshme që nga vitet 1900 deri në fillimet e viteve ’90, duke dokumentuar disa nga zhvillimet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar si hapjen e shkollave të para për vajza, përfshirjen e grave dhe vajzave për herë të parë në fusha të ndryshme si dhe fragmente nga jeta e tyre sociale. Përmes imazheve të grave shihet edhe jeta shoqërore, bulevardi, gratë shkodrane me veshje të zonës, gra që ndiqnin modën e kohës, me kapele, pardesy, këpucë me taka dhe çanta të vogla mënjanë.

Gratë e karrierës në detyra të rëndësishme, ose imazhe të harruara (ose të paditura) të gruas në kantierin detar në Durrës. Një prej fotove më domethënëse, mbase është ajo e Seancës së Parë të Legjislaturës së dytë të Kuvendit Popullor. Në të dallohen lehtë: një ushtarak, një klerik bektashi, një grua me shami, një tjetër pa shami dhe krahët e zhveshur të një gruaje me fustan pa mëngë! A ishte Shqipëria kjo? Një bashkim i tërave? I gjithë të ndryshmeve? I fesë, i modës, i traditës; apo ky është veçse një imazh i ndalur në kohë, që nuk thotë asgjë më shumë se veçse një foto? Në tërësi, janë fytyra të qeshura: të qeshura në fabrikë, të qeshura në qitje, të qeshura në spital, edhe në shkollë, edhe në xhiron e bulevardit, edhe në shëtitjet të liqeni, edhe në stërvitje, edhe në uzinën gjeologjike, edhe në traktor. Disi më pa shprehi janë kur luftojnë analfabetizmin, mosha të ndryshme me libra në duar, nga 14-vjeçaret me kordele, tek ato në të 60-tat me shami; gjithë shikimin e vëmendjen te mësuesja. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 31.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: