Kur Varsha Sahu thithi aksidentalisht vidën e pirsit të hundës dy muaj më parë, ajo nuk u shqetësua shumë. Ajo mendoi se “gjilpëra” kishte përfunduar në stomak dhe natyrisht do të kalonte përmes sistemit të saj të tretjes. Por objekti metalik iu fut në mushkëri dhe i shkaktoi disa javë siklet dhe gulçim derisa më në fund u hoq nga mjekët.

Ashtu si shumica e grave të martuara hindu në Indi, 35-vjeçarja Varsha kishte mbajtur një pirsing hunde që nga dasma e saj “16-17 vjet më parë” pasi konsiderohet simbol i statusit martesor. “Unë nuk e dija që vida ishte shkëputur,” i tha ajo BBC-së në telefon nga shtëpia e saj në qytetin lindor të Indisë, Kolkata. “Isha duke biseduar dhe mora frymë thellë dhe e thitha. Nuk e kisha idenë se më hyri në rrugët e frymëmarrjes. Mendova se më kishte hyrë në stomak”, shtoi nëna e dy djemve adoleshentë.

Dr Debraj Jash, mjek pulmonolog në Spitalin Superspecialty Medica, i cili hoqi “kapësen” nga mushkëria e Varshës muajin e kaluar, e përshkroi rastin e saj si “jashtëzakonisht të rrallë”, ndërsa mediat indiane kanë raportuar vetëm dy raste në dekadën e fundit.

“Ndonjëherë kemi raste kur frutat e thata ose arra betel kanë hyrë në mushkëritë e njerëzve, por shumica e rasteve të tilla përfshijnë fëmijë të vegjël ose të moshuar mbi 80 vjeç. Një paciente grua në të 30-at është një përjashtim.”

Historia e Varshës doli në dritë kur një muaj pasi thithi vidën – ajo shkoi te një mjek duke u ankuar për një kollë të vazhdueshme, gulçim dhe pneumoni. Ajo fillimisht fajësoi vështirësitë në frymëmarrje për një dëmtim të mëparshëm të hundës. Kur ilaçet nuk ndihmuan, ajo u konsultua me një pulmonolog. Një skanim CT zbuloi objektin në mushkëritë e saj dhe një radiografi pasuese e gjoksit tregoi se çfarë ishte.

Pneumologia dërgoi një bronkoskop fibreoptik – një kamerë të vogël me pincë – në rrugët e saj të frymëmarrjes. Por ajo nuk mundi ta kapte “objektin e mprehtë të shndritshëm” dhe nuk arriti ta tërhiqte atë. Më pas ajo e dërgoi pacientin te doktor Jash.

“Na duhej ta këshillonim pacienten në fillim. Ajo ishte e shqetësuar se do t’i nënshtrohej një procedure të dytë kaq shpejt pas së parës, por ne i shpjeguam se trupi i njeriut është krijuar në atë mënyrë që të mos ketë vend në të për një objekt të huaj”, tha ai. “I thamë se nuk kishte asnjë mënyrë që trupi i saj do ta pranonte atë dhe se nëse nuk trajtohej, pneumonia e saj do të vazhdonte të përkeqësohej”, shtoi ai.

Por duke qenë se mund të kishte komplikime afatgjata, ai vendosi t’i jepte një tjetër provë bronkoskopit fibreoptik. “Është jashtëzakonisht e vështirë për të nxjerrë një objekt të mprehtë me një bronkoskop të rregullt fleksibël. Objekti kishte qenë në mushkëri për më shumë se dy javë dhe indet tashmë ishin rritur rreth tij. Por procedura, e cila zgjati 30 minuta, rezultoi e suksesshme dhe Varsha doli nga spitali pas katër ditësh.

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb