Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua historia tragjike e vrasjes së Hava Meçaj, dëshmores së atdheut.
Territori i fshatit Brataj, i gdhendur mes maleve dhe i përshkuar nga lumi i qetë e i lashtë i Shushicës, shtrihet në një hapësirë të thyer mbi 35 km², ku lartësitë zbresin nga majat mbi 1800 metra deri te shtrirja e butë e lumit. Qendra e fshatit ngrihet në anën e majtë të lumit, në këmbët e malit të Çekut, ndërsa i gjithë territori kufizohet me fshatrat Lepenicë, Velçë, Ramicë, Tërbaç, Dukat dhe Gjorm.
Zona e malit është e egër dhe madhështore, një masiv i zhveshur shkëmbor, ku verojnë qindra krerë bagëti dhe ku njeriu lë shenjë vetëm me shtigje të humbura ndër kohë.
Rrëzat e malit krijojnë një terren të thyer, guror por më të gjallë, i cili ka ushqyer mijëra krerë bagëti ndër stinët. Gjurmët e mureve të vjetra të tarracave tregojnë mundin e banorëve që, edhe në vendet më të pamundura, krijuan tokë për bukën e gojës. Këtu gjenden dhe gjurmë faune të pasur: ujku, lepuri, dhelpra dhe derri i egër, të cilët mbijetojnë në këtë mozaik gurësh, përrenjsh dhe shkurresh.
Më e buta dhe më e jetuara është zona e ulët, nën 400 metra, e cila shtrihet në të dy anët e Shushicës. Fusha, siç e quajnë banorët, ka qenë zemra e jetës: tokat më pjellore të fshatit, kullotat dimërore, vendi ku u ngritën tarraca të gjera për të ruajtur çdo pëllëmbë nga gërryerja e lumit. Qysh në shekujt XVI–XVII, fshati ndërtoi një kanal 5-kilometërsh për të sjellë ujë nga Smokthina, duke vaditur mbi 55 hektar tokë.Mullinjtë punonin natë e ditë, me pesë lugje uji që ndezeshin nga rrjedhja e fuqishme, duke ushqyer jo vetëm Bratajn por edhe fshatrat përreth. Lumi Shushicë, me ujërat e tij të kthjellët e të ftohtë, ka qenë gjithmonë më shumë se kufi: ka qenë jetë, punë, udhë dhe mbrojtje. Ai ka ushqyer tokat, ka vënë në lëvizje mullinjtë dhe ka ruajtur freskinë e verës nën hijet e rrepeve të mëdhenj. Mbi të qëndron ende ura e gurit, një dëshmi e shekujve XIV–XVI, e ndërtuar me mjeshtëri që sfidon kohën. Përveç saj, banorët kanë përdorur gurë të mëdhenj natyrorë dhe vahe të cekëta për të kaluar lumin, duke lidhur të dy anët e fshatit dhe zemrat e njerëzve që jetonin në to.
Brati shfaqet krenar si një mozaik, ku natyra dhe njeriu janë rritur krah për krah.
Në vendin ku mali dhe lumi janë një, ku varfëria ngjesh jetën, por krenaria ngre kokën, lindi një grua që do t’i jepte historisë shqiptare një nga faqet më të dhimbshme, më të ndritura dhe më njerëzore të saj.
Kjo është historia e Hava Xhafer Meçaj, gruas që vdiq dhe në krahët e saj njëri prej fëmijëve kërkonte të pinte gji mbi trupin e gjakosur të nënës.
Ishte viti 1900-të kur në Tërbaç, në një familje të varfër por të ndershme, lindi Havaja. E bija e Xhaferit dhe Mezines, një çift i cili kishte punuar e ndêrtuar jetën me mundimin e tokës, me kripën e djersës dhe me dinjitetin e njerëzve që nuk ndahen nga e drejta. Fisi Hoxhaj ishte një fis i respektuar, i mësuar me sakrifica e me dashuri për vendin. Havaja u rrit pa shkollë për shkak të kushteve, por me një mendje të mprehtë e një shpirt të fortë. Njerëzit e krahinës e kujtonin si punëtore, të thjeshtë, e drejtë dhe plot zemër. Miqësitē dhe krushqitë asaj kohe bëheshin me miq e shok, me njerëz të njohur e që gëzonin respekt në krahinë e kudo. Në vitin 1918, Havaja u martua me Meço Yzeir Meçaj dhe shkoi nuse në Brataj, në një derë të madhe ku as atje nuk gjeti pasuri, por gjeti një familje që jetonte me nder dhe punonte me drejtësi.
Meçua ishte një djal i ri i vuajtur që babai e kishte lënë jetim shumë të vogël. Meçua dhe Havaja ishin një çift model të punës dhe dinjitetit dhe sollën në jetë tre fëmijë.
Familja e e tyre jetonte në pyllin e Ledhes, pranë lumit Shushicë,sipër lumit në kodër aty ku ngritën shtëpinë e thjeshtë, por me shpirt të ngrohtë, e një derë e madhe, me tradita mikpritje dhe dashurie.
Jeta mes sakrificave dhe vështirësive i kishte berë njerëz më të fortë e me shumë karakter. Në vitin 1939-të Havaja nuk ishte vetëm një nënë. Ajo u bë syri, veshi dhe zëri i lëvizjes së fshatit.Shtëpia e saj, e fshehur mes pyllit, u bë strehë për të ndjekur ilegalët.Ajo mbante ushqim, lajme, municion, gjithçka që mund të jepej.
Partizanët e quanin “Nëna Havaja”
Në vitin 1943, kur krahina gumëzhinte nga luftimet, Havaja nuk u nda asnjë çast.
Ajo mbante ushqime në front, shpërndante informata, ndihmonte këshillin e gruas.
Në Drashovicë, në Gjorm, në çdo betejë, gjurmët e saj ishin aty, mes mundit e sakrificës.Dimri i 1943–1944 është një nga kapitujt më të errët të krahinës.
Gjermanë dhe ballistë sulmonin fshatin. Shumë u strehuan në shpella, por Havaja qëndroi lart, pranë shtëpisë së saj, për të parë lëvizjet e armikut dhe për t’i njoftuar partizanët.Dhe zemra e saj u dogj bashkë me konakun që ballistët iu bë disa herë shkrumb e hi. 15 shkurti i vitit në 1944.
Ballistët po tërhiqeshin nga Smokthina drejt fshatit Brataj.Një Kolonë kalonte pikërisht aty ku Havaja qëndronte.Dhe atëherë, ajo bëri atë që vetëm zemrat e mëdha dinë ta bëjnë:
Monolog:
…Ju i dogjët shtëpitë tona, por Shqipërinë nuk e digjni dot!”
Plumbat e tradhtisë u derdhën mbi të, e rrëzuan në tokë. Ajo u shtri përdhe, por nuk u përkul as në momentet e fundit të jetës.
Dhe atëherë ndodhi ajo skenë, ajo plagë që nuk u shërua kurrë në sytë dhe memorien e popullit. Foshnja e saj, e pavetëdijshme për vdekjen, zuri të kërkonte gji mbi trupin e nënës të mbytur në pellgun e gjakut.
Një fëmijë që kërkonte jetë mbi vdekjen.
Një foshnjë që qante mbi një nënë që heshti përgjithmonë dhe një vjehrrë që pa me sytë e saj sesi u vra nusja e djalit me breshëri plumbash.Ajo pamje mbeti e ngrirë në kujtesën e fshatit, e cila e ktheu Hava Meçajn në legjendë.
Në errësirën e asaj nate, nën frikën e armikut, burra e gra të fshatit, të drejtuar nga Këshilli Nacionalçlirimtar, e varrosën në Qafën e Gjovalës.Pa këngë. Pa ceremoni.
Vetëm me lot. Vetëm me respekt.
Por me besimin se ajo kishte rënë për të gjithë, kishte rënë për atdheun.
Havaja nuk pati varr të madh, as monument,
por ajo pati një popull që e mbajti në zemër si shembull force, nderi dhe flijimi.
Hava Meçaj ishte nënë, një grua, e thjeshtë, por mbi të gjitha, një zemër që nuk u përkul para armikut me një lloj trimërie të jashtëzakonshme që për kohën ishte e vêshtirë edhe për burrat jo vetëm për gratë.
Sot, kujtimi i saj është dritë për brezat që vijnë.Një histori që tregon se liria nuk fitohet me fjalë, por me sakrifica.
Ky dokumentar është homazhi ynë për gruan që dha gjithçka, edhe jetën, edhe nënësinë, për një Shqipëri të lirë.
Ajo e dinte se do ta vrisnin, por më mirë një vdekje me kokën lart.Ra dëshmore në vitin 1944 në Brataj. Shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Vlorë.
