Aktivistë britanikë kanë varur një fotografi të Prince Andrew në ambientet e Louvre Museum në Paris, me synimin sipas tyre për t’i treguar ish-dukës “si do ta kujtojë bota” pas arrestimit të tij.
Ngjarja ndodhi të dielën, kur një grup që e quan veten “Të gjithë e urren Elonin” (anglisht: Everyone Hates Elon) vendosi foton në një mur të muzeut francez. Poshtë imazhit të kornizuar, ata shtuan mbishkrimin: “Tani ai po djersitet”. Fotografia e përzgjedhur është një nga imazhet më të shpërndara së fundmi, ku shihet Princi Andrew i ulur në sediljen e pasme të një Range Rover-i, me pamje të zymtë, pasi doli nga një stacion policie në Norfolk. Në një video të publikuar në Instagram, anëtarët e grupit shfaqen duke e vendosur foton në mur, të shoqëruar me mbishkrimin: “Ata thonë ‘vareni në Luvër’. Dhe kjo është ajo që bëmë ne.” Një tjetër video tregon vizitorë të muzeut duke qeshur dhe duke fotografuar imazhin e vendosur mes veprave artistike. Sipas raportimeve, fotografia u hoq rreth 15 minuta më vonë nga stafi i Luvrit.
Në një deklaratë për agjencinë Reuters, grupi tha: “Menduam t’i tregonim ish-Princit Andrew se si do ta kujtojë bota duke e vendosur këtë foto ikonike të arrestimit të tij në Luvër. Le të shpresojmë se ky është vetëm fillimi. Drejtësi për të gjithë të mbijetuarit e Jeffrey Epstein.”. Grupi “Të gjithë e urren Elonin” deklaron se misioni i tij është “të zemërojë miliarderët me veprime të vogla”. Më herët, ata kanë vendosur postera në stacione autobusi në Londrën lindore ku shfaqej Elon Musk në një makinë Tesla, me mbishkrimin provokues: “Duke shkuar nga 0 në 1939 në 3 sekonda”.
