Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka dënuar aktin e djegies së flamurit të Greqisë në një nga sheshet e Prishtinës, nga një grup tifozësh pas humbjes në ndeshjen e parë parakualifikuese të Ligës së Evropës me ekipin qipriot Apoel.

Përmes një njoftimi për media MPJD e ka cilësuar këtë ngjarje si një akt të paprecedentë dhe të papranueshëm, ndërsa kërkoi që organet e rendit që t’i sjellin para drejtësisë personat që kanë bërë këtë veprim.

“Dënojmë fuqishëm çdolloj akti fyes të simbolit kombëtar të cilitdo shtet, në rastin konkret të Greqisë. Kosova dhe Greqia kanë vendosur dialog praktik, kanë zyra ndërlidhëse në kryeqendrat e tyre dhe të dyja palët punojnë për të thelluar dialogun edhe më tej”, ka deklaruar ministrja e MPJD-së, Meliza Haradinaj Stublla, duke e konsideruar të papranueshëm aktin e ulët të disa tifozëve.
Mes të tjerash MPJD pret që organet e rendit të reagojnë shpejtë dhe të vendosin para drejtësisë autorët e këtij akti, pasi konsideron se shprehja e pakënaqësisë duke djegur flamurin e një vendi në një ndeshje sportive, është akt i shëmtuar dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe idealet e përqafuara nga populli i Kosovës, si shoqëri demokratike.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: