Zbardhen detaje të reja nga incidenti i rëndë që ndodhi mesditën e sotme te KZAZ nr.30, në zonën e Kasharit. Gazetari Igli Çelmeta raporton se në konflikt janë përfshirë 4 djem, me statusin e vëzhguesve, dhe Sekretari i Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve. Debati verbal u pasua nga një përplasje fizike e dhunshme.
Të rinjtë, pasi kanë mbërritur në KZAZ kanë nisur debatin për një fletë votimi e cila mësohet se kishte dy shënime për dy kandidatë, mes tyre edhe për Ornaldo Rakipin.
Komisioni e ka quajtur të pavlefshme sepse ishin shënuar dy kandidate, ndërkohë që një prej të rinjve, i arrestuar tashmë nga policia ka pasur pretendime që vota të shkonte për Ornaldo Rakipin. Nga ana tjetër, Sekretari i KZAZ ka kërkuar që të qetësohet sepse do ta rishihin sërish fletën e votimit për të marrë më pas një vendim.
Por në këtë moment një prej të rinjve ka bërë rezistencë dhe ka sulmuar Sekretarin e KZAZ. Agresori është identifikuar si Rei Nozlli i cili u vu në pranga nga policia.
Katër të rinjtë pas incidentit janë larguar me dy makina që i kishin jashtë qendrës së numërimit.
(BalkanWeb)
