Rreth 1 milion euro pasuri i janë sekuestruar trafikantit shqiptar të drogës, Bledar Pajana, i njohur ndryshe si “Messi” shqiptar.

Mediat italiane raportojnë se Guardia di Finanza i ka konfiskuar Pajanas, makina luksoze, para cash, mobilje si dhe aksione në vlerën e gati 1 milion eurove.

Në dhjetor 2014 Pajana u arrestua në Holandë dhe pak muaj më pas u ekstradua në Itali, ku akuzohej për trafik kokaine nga Amerika Latine përmes Lisbonës dhe Madridit. Më herët, në tetor të vitit 2014, ai arriti t’i ikte policisë italiane duke braktisur makinën gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Pas ekstradimit të Pajanas, prokurorët e Brescias kërkuan sekuestrimin e pasurive të tij pasi rezultoi se i kishte fituar ato falë trafikut të drogës.

Në korrik të këtij viti, një gjykatë në Milano e dënoi atë me 8 vite e 5 muaj burg si dhe 30 mijë euro gjobë. Nga verifikimi i pasurisë së tij, rezultuan një shumë e konsiderueshme cash prej 130 mijë euro në katër banka të ndryshme, një makinë luksoze, një apartament si dhe aksione në një kompani ndërtimi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb