* Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Guri Madhit, ish-studenti i tij Genc Përmeti analizon veprat që ai la pas, ato që ishin kundër rrymës, nga: “Pëllëmbë me gjak” te “Çifti në plazh” apo “Tifozët”

Duke qenë se i përket një brezi piktorësh që ka pasur fatin të marrë leksione nga Prof. Guri Madhi në Akademinë e Arteve, Genc Përmeti ruan nostalgji për një figurë e cila ofronte shumë hapësira në hulumtimin e teknikave të pikturimit si dhe shpesh i ftonte studentët pa asnjë lloj hezitimi të bëheshim pjesë e studios së tij.

Sot, në 95-vjetorin e lindjes së Guri Madhit, ish-studenti kujton se të kishe mundësinë të vizitoje studion e Guri Madhit, si një nga artistët më në zë të kohës, i cili ka lënë shenja nga më të fortat në artin vizual shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, ishte diçka tejet e veçantë.

“Ai e sheshoi atë diferencë që shpesh krijohet në marrëdhëniet student-pedagog me ndërtimin e një kodi komunikimi tejet të sinqertë, duke e ndjerë veten tejet komod me vetitë e një personaliteti që rrezatonte një dritë shumë pozitive, duke na çliruar nga shumë komplekse që mund të kishim për kohën. Që prej asaj kohe, në mënyrë organike mundohem të gjej kohën të kthehem si një referencë e cila është përkthyer edhe në një lloj miqësie më familjen e tij”.

STUDIOJA E ARTISTIT
Në studion e Guri Madhit, koha nuk ka mbetur në vend. “Kur u ktheva pas shumë vitesh, vura re shtresa që nuk isha në gjendje t’i perceptoja më parë. Vizita ime e parë daton në 1987, ku dinamizmi dhe vitaliteti i tij na eklipsuan me atë që paraqiste në pikturat dhe vizatimet e tij ndër vite”, kujton Genc Përmeti, teksa vëren se një nga surprizat e asaj vizite ishte momenti kur zbuloi ekspozitën që do e hapte në fund të atij viti. Aty pamë fytyrën e një artisti që ishte në kërkim të një rruge të pashkelur më parë dhe që për shumë ishte një tabu, ku dinamizmi, nervi artistik, ishin në kulmin e akselerimit.

“Ne kishim dëgjuar për veprat e tij përgjatë viteve të akademisë në Bashkimin Sovjetik me veprat bataliste dhe epike, por aty pamë dhe një Guri Madhi me shumë energji, duke e çuar dritën në limitet e shpërndarjes me një tendencë koloristike, duke krijuar dhe një marrëdhënie grafike mes tyre ku mbizotëronte, optimizmi për jetën, si dhe eksperimenti me ngjyrën, e cila të bënte të mendoje nëse ekspozimi i tyre do të ishte i lejueshëm për kohën”, thotë ai për Klodiana Shpendin, kur ajo e pyet për kujtimet me profesorin. Sipas tij, ekspozita u hap në qershor 1987.

AUTOPORTRETI – FRANCIS BACON
Në një ndalesë në veprat e tij, Përmeti sheh pas shumë vitesh elementë të rinj. “Pas një shkëputjeje jo të vogël dhe ballafaqimeve që kemi bërë me artin modernist dhe atë bashkëkohor, fillojmë t’i shohim veprat e tij nën një tjetër këndvështrim. Një nga elementët që e kam zbuluar dhe kam mbetur i befasuar është një punë e fillimit të viteve ’60, dhe aty pashë elementë të autoportretit të profesorit.

Mënyra se si ish kompozuar, operacioni i dekonstruktimit të ngjyrës, fakturat, linjat e ndërtuara më bënë të mundur të lexoja një autoportret paksa inkonshecial, e cila më referonte te seria e autoportreteve që në mesin e viteve ’60 e kemi parë te një nga modernistët e fundit, Francis Baconi”. Sipas Përmetit, artisti sheh përtej asaj që sheh një sy i zakonshëm.

“Guri Madhi ishte autor që kish kodet e tij. Ai operonte me shtresa, e para; e dyta, operonte me teknika tradicionale dhe njëkohësisht eksperimentonte në operimin me ngjyrat, duke qenë i sofistikuar për mënyrën se si i trajtonte”. Përmeti thekson se “ai autoportret është bashkëkohës dhe nuk kish asnjë mundësi (ishte e pamundur), që profesor Guri ta njihte veprën e së njëjtës kohë (apo dhe më pas) të Francis Bacon (që u bë i njohur në fund të viteve gjashtëdhjetë) dhe u ndjeva i befasuar dhe shumë i kënaqur. Sepse pashë një Guri Madhi, që shumë nuk e kishin parë më parë”.

Ai kujton se në një ekspozitë të hapur vitet e fundit me vizatime e bocete, në TBU ishin ekspozuar portrete të bëra në vitet ’60 e më pas, që të kujtojnë Francisco Goyan. “Realizmi socialist kish disa kanone, të cilaj duhet t’i zbatoje, të cilat duheshin respektuar, se ndryshe nuk punoje dot më. Këto bocete duhen riparë dhe duhet të riekspozohen, sepse kanë një dimension tjetër. Përsëris se nëse flasim për artin viziv shqiptar, një nga ikonat e kësaj periudhe, nga më të diskutuarit, është profesor Guri Madhi, vend të cilin nuk e ka fituar në sajë të rastësisë, por të krijimtarisë së tij”.

DEVIJIMI NGA METODA/ ‘TEMA BIBLIKE’
Artistët gjejnë një mënyrë për të shprehur atë që duan të japin, – thotë Përmeti. Kur Klodiana Shpendi e pyet për devijimet, Përmeti thotë: “Profesor Guri Madhi që në vitet ’70 ka eksperimentuar shumë, paleta e tij ka qenë shumë e guximshme, më shumë sa mund të mendohej. Në një nga veprat e tij epike ai përdor të kuqen, ashtu siç është, krijon rezonancë midis ngjyrave, që ishte një guxim tepër i marrë me këta elementë”.

Në këtë pikë, ai kujton se ka edhe vepra në të cilat është aluduar për tema biblike. “Profesor Guri respektonte religjionin, ai kish disa kode morale, rridhte nga një familje shumë e mirë korçare dhe kish respektin ndaj këtyre kodeve. Duke qenë se operonte me këto kode morale, ai i reflektonte në veprat e tij. Për “Pëllëmbë e gjak”, një vepër e jashtëzakonshme, aludohej se ishte Krishti (që nuk kish të bënte me plagjiaturë), mënyra se si zgjatej dora, gjë që ngjalli shumë diskutime e solli probleme”, thotë ish-studenti i tij, Genc Përmeti. Ai shton se Madhi kish një avantazh, ishte talent dhe arrinte që të jepte frymën e tij si artist dhe të kish mundësinë e ekspozimit.

VENDI I GURI MADHIT
Pyetjes së Shpendit se çfarë vendi zë vepra e këtij piktori në artin shqiptar, Përmeti i përgjigjet se “arti shqiptar nuk është se duhet t’i rezervojë një vend Guri Madhit. Guri Madhi e ka fituar atë. Vetë fakti që flasim sot do të thotë që Guri Madhi e ka fituar vendin e tij”. Sipas tij, Madhi është një nga artistët e paktë të brezit të tij që veprat i janë prezantuar në bienale bashkëkohore dhe ekspozita. Ai ishte një artist që dinte të transmetonte mesazhet që mund të komunikonin si dhe të ishin të dekodueshme për çdo kohe.

“Ai kish një inteligjencë të natyrshme në ndërtimin e këtyre kodeve. Ndaj dhe ne sot flasim për veprën e tij. Për këdo që mund të bëjë një vizitë në Galerinë Kombëtare, duhet patjetër të shohë veprat e Guri Madhit”. Në këtë pikë Përmeti, vëren se kur shikojmë Guri Madhin, shohim një autor që ka pasqyruar gjithë zhvillimet historike të shekullit të kaluar, artist që filloi me vepra epike, por përveç narrativës së lartë ai nuk e ka lënë mënjanë narrativën e vogël si dhe momentet historike të kohës.

“Duke qenë nën trysninë e ideologjisë, ai arriti të sjellë disa momente të cilat identifikohen me pikturën e Guri Madhit, siç është në disa vepra: ‘Formimi i Shtabit të Përgjithshëm’ apo me ‘Mbledhja e Moskës’. Kalojmë në vitet ’80, ku ai doli me një dimension totalisht tjetër, me një frymë perëndimore, duke i marrë ngjyrat dhe i trajtonte pa asnjë kompleksitet, të verdhën me të kuqen pa u menduar dy herë. Këtu shikojmë talentin natyral të Guri Madhit”.

MESAZHI DHE TEMAT E NDALUARA
“Merrni paletën, mos u kompleksoni dhe bëni atë që doni vetë”. Ky ka qenë mesazhi që u jepte studentëve. Përmeti vëren se ai guxoi të merrte dhe me tema të tilla që konsideroheshin se nuk mund të bëheshin. “Ai ka ‘Çifti në plazh’, totalisht vetëm me diellin, çadrën dhe ka boshllëk. Nuk ka optimizëm, nuk ka marrëdhënie, mungon jeta kolektive, por ka vetëm një çift i cili sheh në mënyrë të vetmuar drejt detit i cili është i prerë.

Një vepër e trishtë që paralajmëron një ikje diku ku nuk e dimë se ku. Kjo ka qenë për mendimin tim një mënyrë, një sfidë për atë që quhej korniza e kohës”, nënvizon Përmeti. Më pas ai flet për kompozimin “Tifozat” (Kur nuk shkojnë në stadium). “Sporti quhej argëtim, por jo që njerëzit të investoheshin kaq shumë, se si e përjetojnë gëzimin, zhgënjimin, elementë të cilët përbëjnë ADN-në personale të secilit individ. Këtu ai guxoi fort, duke marrë tema të vogla, por që ishin shqetësuese për kohën”.

VIZATIMET
“Për mendimin tim për profesor Guri Madhin ka shumë gjëra që duhen diskutuar. Për shembull ai ka shumë vizatime që unë i dashuroj”, thotë Përmeti, duke shtuar se ka ardhur koha që ato duhen riparë si një e tërë. “Nuk janë thjesht skica a vizatime të momentit. Rrëfimtaria e tij jepet përmes imazhit. Dhe ai është një rrëfimtar shumë i mirë. Ai na jep të kuptojmë shumë jo vetëm për periudhën, por për vetë individin. Prandaj duhen riparë vizatimet e Guri Madhit.

Sepse brenda tyre kemi një histori të tërë, kemi historinë tonë”. Përmeti ndalet edhe te mënyra si e ka konceptuar, si një histori që ka krijuar kontinuitetin, që duhet transmetuar. Ai shihet si një autor që mund të rishihet herë pas here. “Sot ka një debat të madh se kush konsiderohet bashkëkohore. Ajo për të cilën është rënë dakord, është pra që përderisa vepra transmeton frymën në të cilën ke operuar, vepra e ruan bashkëkohësinë. Unë them pa frikë se Guri Madhi e ka ruajtur bashkëkohësinë dhe ne do t’i referohemi për shumë dekada veprës së Guri Madhit, jo vetëm unë, por dhe kritikë të artit”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: