Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç u shfaq i lumtur me një pikë pas barazimit 2-2 në transfertë ndaj Partizanit.

Tekniku i verdhebluve, në prononcimin pas ndeshjes për RTSH, theksoi se skuadra e tij ishte futur në fushë për të marrë tre pikët, dhe madje u shpreh se nëse Tsage do ta kishte shënuar penalltinë dhe rezultati do të shkonte në 2-0, atëherë tre pikët do të ishin të garantuara.

Megjithatë, për episodët që rodhën më pas dhe faktin se skuadra mbeti me 10 lojtarë për më shumë se 70 minuta, Gvozdenovic u shfaq në “paqe” me pikën e marrë ndërsa shtoi se djemtë në fushë treguan shumë karakter.

“Ne jemi Elbasani dhe nga fillimi ishim përgatitur për ta fituar ndeshjen dhe për mendimin tim mund ta fitonim ndeshjen sepse rezultati shkoi 1-0 për ne dhe kishim shansin për të dyfishuar me penalltinë e Tsage. Nëse ai do të shënonte atë gol nga penalltia atëherë isha i sigurt se do ta fitonim ndeshjen.

Por, kjo është e bukura e garës, e futbollit. Kur ne ishim mirë në ndeshje, po luanim dhe dominonim, erdhi kartoni i kuq. 70 minuta plus shtesat pa një lojtar, ishin shumë, por çunat treguan karakter, luftuan edhe kishim besimin se në fund do të fitonim një pikë. Në fund, doli mirë për ne”, tha Gvozdenoviç.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb