SHKODER- Veteranë të luftës nacional-çlirimtare në Shkodër ashtu si çdo 29 Nëntor kanë kryer homazhe pranë varrezave të dëshmorëve, por mes tyre më entuziasti ka qënë një veteran i moshuar.

Partizan në kohën e luftës me fashistet italianë e nazistët gjermanë, siç shprehet në videon e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetari Senad Nikshiqi, ai thotë se ka vrarë me dorën e tij 300 gjermanë, e mes tyre Hamit Matjanin.

“…Për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut tonë kundra okupatorëve fashistë italianë dhe nazistëve gjermanë, e të tjerëve që deshën të hanin me një kafshatë Shqipërinë, por nuk e gjetën atë, gjetën vetëm plumbin…se kam vrarë 300 gjermanë unë, kam vrarë Hamit Matjanin me dorën time”,- thotë veterani.

Euforia e tij mund të jetë e pranueshme për ditën e festës, por shifrat që ai përmend (kam vrarë 300 gjermanë) janë pak larg realitetit. Sa për vrasjen e Hamit Matjanit të dhënat historike janë kokëforta. Ai u arrestua bashkë me Zenel Shehun, pasi dyshoheshin të ishin rekrutuar nga shërbimi sekret amerikan për të organizuar një revoltë antikomuniste dhe iu nënshtrua një gjyqi ushtarak dhe u dënua me varje.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: