Pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara që katër ish-udhëheqës të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dënohen me 45 vjet burg secili, ka reaguar deputetja Shqipe Mehmeti Selimi, njëherësh bashkëshortja e Rexhep Selimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan: “E shenjtë UÇK! E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët!”
Deklarata e saj vjen ndërsa sot ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ku ZPS-ja kërkoi shpalljen e tyre fajtorë për krime lufte dhe kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vdekje dhe abuzime të shumta në kampe të kontrolluara nga UÇK-ja gjatë dhe pas luftës. Seancat për deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt, ku pas Prokurorisë fjalën do ta kenë mbrojtësit, ndërsa në fund do të flasin edhe të akuzuarit.
