Nga Gjykata e Hagës, e cila kërkon 45 vite burg për të, ish-presidenti Hashim Thaçi ka mohuar akuzat në drejtim të tij. Ai tha se është i pafajshëm.

Mes të tjerash Thaçi uroi kosovarët për pavarësinë e Kosovës.

“Dua t’u shpreh qytetarëve të Kosovës urimet e mia për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Dëshiroj që nga kjo sallë të përcjell urimet më të përzemërta për këtë festë madhështore. Për gati 3 vite në këtë sallë gjyqi i keni dëgjuar akuzat e prokurorisë dhe argumentet e mbrojtës. Keni parë faktet dhe të vërteten. Ka një të vërtetë; akuzat nuk qëndrojnë! Jam plotësisht i pafajshëm! Por kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë. Bashkëndjej dhe ndjej keqardhje për të gjitha viktimat.”, tha ai.

Sot mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: