ZVICER- Përshëndetjet “Heil Hitler” dhe kryqi i thyer mund t`u kushtojë deri në 3 vjet burg, gjashtë ushtarëve zviceranë. Bëhet fjalë për gjashtë ushtarë zviceranë në Wangen an der Aare, të cilët kishin bërë një përshëndetje të tillë (me krahun e djathtë të ngritur lartë) duke pasur përpara një kryq të thyer nazist të vizatuar në tokë. Të gjitha këto momente i kanë fotografuar, ndërsa pamjet i kanë rënë në duar gazetës “SonntagsBlick” e cila e ka publikuar.
“Ushtarët kanë marrë dënimet e tyre disiplinore duke u arrestuar. Ata po qëndrojnë prej disa ditësh në arrest, i cili do të zgjasë”, ka deklaruar zëdhënësi i ushtrisë Mirco Baumann. Tre nga ushtarët kishin pasur në plan që të vazhdonin punën në ushtri, edhe pas përfundimit të shërbimit ushtarak të detyruar, përcjell albinfo.ch, ndërsa tashmë dëshira e tyre nuk mund të realizohet. Por, shërbimin ushtarak ata mund ta vazhdojnë deri në fund.
Organet juridike duhet që në kuadër të procedurës të vendosin nëse fotografitë e përmendura do të kategorizohen si propagandë naziste ose jo. Nëse do të kategorizohen ashtu, atëherë gjashtë ushtarët i pret një dënim për ‘diskriminim racor’ deri në 3 vjet burg. Martine Brunscwig Graf, kryetare e Komisionit Federal kundër Racizmit e konsideron “skandaloze” sjelljen e ushtarëve, duke shtuar se nuk është rast i veçuar.
(BalkanWeb)
