TIRANE-Kreu i Policisë se Shtetit, Haki Cako ka konfirmuar zyrtarisht gjatë një konference për mediat se autori i dyshuar i vrasjes së komisarit Artan Cuku më 8 prill 2017 në ‘Rrugën e Kosovarëve’ në kryeqytet, është personi i ndaluar dje pranë digës së Liqenit Mikel Shallari. Haki Cako tha se Mikel Shallari është ekzekutori i vrasjes së Artan Cukut.

“Në vlerësim të informacioneve, formave e metodave të policisë dhe ato shkencore dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, më datë 10 qershor 2017, u bë e mundur ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të prokurorit për të dyshuarin e vrasjes së ndodhur më 8/04/2017, ku u vra më armë zjarri Artan Cuku, ish-oficer policie. Autori i kësaj ngjarje është shtetasi Mikel Edmond Shallari, i datëlindjes 1993, lindur në Kuçovë dhe banues në “Qytetin Studenti”. Vazhdon puna intensive nën drejtimin e prokurorisë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje. Roli i Mikel Shallarit në këtë ngjarje është si ekzekutor”-tha kreu i Policisë së Shtetit.

Ndërkohë i pyetur për provat që dëshmojnë se i arrestuari është autor i vrasjes së komisarit, Haki Cako tha se janë prova të konsiderueshme dhe se Mikel Shallari rezulton me precedentë penalë të mëparshëm.

“Provat janë të konsiderueshme dhe po vazhdojmë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Detajet i përkasin hetimit dhe do zbardhen me kalimin e kohës. Sigurisht që është një person me precedentë i skeduar”- tha Cako.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb