Hamasi është i gatshëm të diskutojë “ngrirjen ose depozitimin” e armatimeve të tij si pjesë e një armëpushimi me Izraelin, tha ditën e sotme një zyrtar i organizatës rebele, duke sugjeruar një zgjidhje të mundshme për një nga çështjet më të ndërlikuara të marrëveshjes, për të cilën ndërmjetësuan SHBA-të.
Basem Naim, anëtar i zyrës politike të Hamasit, foli për Associated Press ndërsa të dyja palët përgatiten të hyjnë në fazën e dytë të negociatave për armëpushimin në Rripin e Gazës.
“Jemi të hapur për një qasje gjithëpërfshirëse për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme apo konflikte të reja,” tha Naim nga Doha, kryeqyteti i Katarit, ku ndodhet një pjesë e madhe e udhëheqjes së organizatës.
Kërkesa e Izraelit që Hamas t’i dorëzojë armët e tij, e cila konsiderohet e palëvizshme nga ana izraelite, duket se është veçanërisht e vështirë për t’u përmbushur.
Zyrtarët izraelitë theksojnë se kjo është një kërkesë kyçe që mund të pengojë progresin në fusha të tjera.
Naim tha se Hamas ruan “të drejtën për rezistencë”, por shtoi se organizata është e gatshme të dorëzojë armët e saj brenda një procesi që synon krijimin e një shteti palestinez.
Ai nuk dha shumë detaje se si mund të funksionojë kjo, por propozoi një armëpushim afatgjatë pesë ose dhjetë vjeçar për të zhvilluar diskutimet.
“Kjo kohë duhet të përdoret seriozisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse,” tha ai, duke shtuar se Hamas është “shumë i hapur” për atë që do të bëjë me armët e tij.
“Ne mund të diskutojmë për ‘ngrirjen’, depozitimin ose dorëzimin e armëve, me garancinë e palestinezëve se nuk do t’i përdorin ato gjatë këtij armëpushimi,” tha ai.
Nuk është e qartë nëse ky propozim do të përmbushë kërkesat e Izraelit për de-armatim të plotë.
Kur u pyet nëse sulmi i Hamasit më 7 tetor ishte gabim, Naim e mbrojti atë si një “akt mbrojtjeje”.
Faza e dytë e negociatave pritet të jetë edhe më e ndërlikuar, pasi duhet të trajtohen çështje si vendosja e një force ndërkombëtare sigurie, krijimi i një komiteti teknokratik palestinez në Gaza, tërheqja e forcave izraelite nga territori dhe de-armimi i Hamasit. Një komitet ndërkombëtar, me në krye Donald Trump, do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes dhe rindërtimin e Gazës.
Në përgjithësi, plani 20-pikësh që palët ranë dakord “ka nevojë për shumë sqarime,” tha Naim.
Një nga çështjet më urgjente mbetet forca ndërkombëtare e stabilizimit. Shumë vende kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa, por përbërja e saktë, struktura drejtuese dhe kompetencat e saj ende nuk janë përcaktuar.
Një pyetje kyçe është nëse kjo forcë do të marrë përsipër de-armimin. Naim tha se kjo do të ishte e papranueshme për Hamasin dhe se organizata pret që forca të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes.
