Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka lëshuar udhëzime për menaxhimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit të MV Hondius që mund të jenë ekspozuar ndaj hantavirusit.

Udhëzimet u drejtohen autoriteteve të shëndetit publik të BE-së/EEA-së, profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe personelit të transportit të përfshirë në zbarkimin, transportin, monitorimin dhe kujdesin e pasagjerëve.

Lidhur me këtë ka folur edhe virologu italian Fabrizio Pregliasco, drejtor i Shkollës së Specializimit në Higjienë dhe Mjekësi Parandaluese në Universitetin Shtetëror të Milanos.

Çfarë duhet të bëjnë profesionistët e kujdesit shëndetësor?

Për punonjësit e kujdesit shëndetësor, ECDC rekomandon masa të shtuara mbrojtëse gjatë kontakteve mjekësore.

Në veçanti, rekomandohet përdorimi i dorezave, një uniforme mjekësore, një maskë respiratore FFP2 dhe mbrojtje për sytë. Rekomandohen gjithashtu maska ​​mjekësore, ventilim i mirë i ambienteve, si dhe masa pastrimi dhe dezinfektimi.

Të gjithë pasagjerëve do t’u kërkohet të mbajnë një maskë mjekësore për fytyrën gjatë procedurave.

Çfarë janë Hantaviruset?

“Janë viruse zoonotike, pra viruse që transmetohen drejtpërdrejt ose tërthorazi mes kafshëve dhe njerëzve. Ato infektojnë natyrshëm brejtësit dhe herë pas here transmetohen te njeriu. Deri më sot, transmetimi nga njeriu te njeriu është dokumentuar vetëm për virusin Andes, i përhapur kryesisht në Argjentinë dhe Kili, i cili është edhe varianti që shkaktoi shpërthimin në anijen ‘MV Hondius’.”

Çfarë do të ndodhë me pasagjerët që kanë simptoma?

Pasagjerët që shfaqin simptoma duhet të vlerësohen dhe testohen me përparësi. Në varësi të gjendjes së tyre klinike dhe vendimeve operative të autoriteteve, ata mund të qëndrojnë në izolim në Tenerife ose të transferohen në vendin e tyre të origjinës për izolim.

Nëse rezultati i testit është pozitiv , kujdesi mjekësor dhe masat e izolimit do të vazhdojnë. Nëse rezultati është negativ, ECDC vëren se masat e karantinës dhe monitorimit mund të vazhdojnë deri në gjashtë javë, si një qasje paraprake.

Personat asimptomatikë konsiderohen me rrezik të lartë si masë paraprake.

Pasagjerët pa simptoma aktualisht po trajtohen si kontakte me rrezik të lartë , si masë paraprake. Riatdhesimi i tyre do të bëhet me transport të organizuar posaçërisht nga vendet e tyre, në bashkëpunim me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile. ECDC sqaron se nuk do të përdoren fluturime të rregullta tregtare.

Pas kthimit të tyre, ata do të vendosen në vetëkarantinë në vendin e tyre të origjinës. Nëse shfaqin simptoma, do t’u kërkohet t’i nënshtrohen vlerësimit mjekësor dhe testeve diagnostikuese.

Megjithatë, klasifikimi përfundimtar i rrezikut mund të ndryshojë. Gjatë dy ditëve të fundit, ekipi i shëndetit publik në bord ka kryer intervista me të gjithë pasagjerët. Bazuar në këtë informacion, është e mundur që disa të mos konsiderohen me rrezik të lartë pas kthimit të tyre dhe mund t’i nënshtrohen masave më pak të rrepta.

Mbështetja evropiane në Spanjë

ECDC ka dërguar tashmë një ekspert në bord. Paralelisht, Spanja ka kërkuar mbështetje shtesë përmes Task Forcës së BE-së për Shëndetin.

Kjo përfshin një ekspert shtesë të ECDC-së dhe dy bashkëpunëtorë nga Programi Evropian i Trajnimit në Epidemiologjinë e Ndërhyrjes.

Eksperti shtesë do të mbështesë koordinimin me bashkëpunëtorët dhe do të veprojë si ndërlidhës midis ECDC-së dhe autoriteteve kombëtare dhe rajonale në Spanjë dhe Ishujt Kanarie. Ai gjithashtu do të ofrojë mbështetje teknike për veprimet e gatishmërisë dhe reagimit, kur është e nevojshme.

Çfarë mund të bëjmë për të parandaluar përhapjen?

“Parandalimi i infeksionit nga Hantavirusi varet kryesisht nga reduktimi i kontakteve mes njerëzve dhe brejtësve. Gjithsesi vlejnë edhe masat standarde kundër sëmundjeve respiratore: larja e shpeshtë e duarve, mbulimi i rrugëve të frymëmarrjes gjatë kollës apo teshtimës dhe, kur është e nevojshme, ruajtja e distancës fizike.

Duhet gjithashtu të merren masa kundër brejtësve: mbajtja pastër e ambienteve të shtëpisë dhe vendeve të punës, reduktimi i burimeve të ushqimit dhe vendeve ku strehohen minjtë, mbyllja e çarjeve dhe hyrjeve që lejojnë futjen e tyre në ndërtesa, ruajtja e ushqimeve dhe mbetjeve në enë të mbyllura, si dhe përdorimi i procedurave të sigurta të pastrimit në zonat e ndotura nga brejtësit apo jashtëqitjet e tyre.

A rekomandohet mbajtja e maskës?

“Do të thosha jo. Maska mund të rekomandohet vetëm për ata që duhet të futen në ambiente ku mund të ketë prani brejtësish.”

Çfarë duhet të bëjnë ata që planifikojnë udhëtime në Argjentinë apo në Amerikën e Jugut?

“Aktualisht nuk ka kufizime dhe njerëzit mund të udhëtojnë. Këshilla ime është të monitorojnë faqen ‘Viaggiare Sicuri’ të Ministrisë së Jashtme italiane. Gjithashtu, në Argjentinë dhe kudo tjetër në botë, duhet të shmangen vendet ku hyrja e njerëzve është e kufizuar, siç ishte vendgrumbullimi i mbetjeve në Ushuaia ku dyshohet se çifti holandez u infektua.”

Po ata që kanë rezervuar një kroçerë?

“Besoj se pas këtij rasti masat higjienike do të forcohen edhe më shumë. Mendoj se aktualisht është e sigurt të udhëtosh me avion, traget apo tren.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb