Ish-prokurori Gentjan Tërnova, gjatë intervistës në “Studio24”, në News24 u ndal tek procesi i Vettingut, duke thënë se është i kontrolluar nga politika.
Gjithashtu shtoi se largimi i tij ishte si një hakmarrje politike për dosjen e Dibrës, ku në përgjime dolën edhe zyrtarë të qeverisë.
“Procesi i vettingut ka qenë një proces i mirëfilltë politikë që kur nisi dhe organet e vettingut kanë qenë të mbushur me komisionerë politike, një nga anëtarët e komisionit ka qenë motra e Belinda Ballukut, Pamela Qirko.
Njëra motër kontrollonte tenderat, motra tjetër kontrollonte gjyqtarët dhe prokurorët. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë lloj hetimi ndaj Ballukut apo ministrave të tjerë, sepse gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë të shantazhuar.
Mua më donin jashtë sepse unë e lidh edhe me një çështje që ka të bëj me përgjimet e Dibrës, ku një pjesë e qeverisë doli në përgjime dhe unë kam qenë prokurori që e kam nisur atë çështje. Kjo mendoj se ka qenë. Kjo ka qenë çështje që dihet nga publiku, por ka edhe çështje të tjera që kanë qenë pjesë e hetimit zyrtar të qeverisë.
Largimi im, unë e lidh si hakmarrje politike ndaj meje. Ideja është që ka qenë e monitoruar nga të huajt, është një gënjeshtër për mendimin tim, ata të huajt vetëm sa kanë marrë paratë në atë proces dhe ka qenë i monitoruar plotësisht nga politika dhe disa njerëz të lidhur ngushtë me qeverinë”, tha ai.
