Rikthehen premiot te Flamurtari. Rezultatet pozitive tashmë do të përkthehen me shpërblim. Por kushti është që sukseset të jenë radhazi. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për ndeshjen që do të rinisë dhënia e premiove, por fakt është që drejtuesit tashmë e kanë marrë vendimin.
“Nxehja” e kampionatit, si edhe shpresat që u ka dhënë një dënim i mundshëm i Skënderbeut, ka bërë që në klub të mendojmë për të karikuar grupin. Në fuqi do të jetë e njëjta strategji e një viti më parë, por kësaj here jo për mbijetesën, por për kreun e klasifikimit, pse jo për titullin.
STRATEGJIA
Por sa do të përfitojnë futbollistët dhe si do të ndahen premiot? “Panorama Sport” zbardh strategjinë e klubit vlonjat. Shpërblimet do të jepen si për fitore, ashtu edhe për barazim, por vetëm nëse do të vijnë njëra pas tjetrës.
Nëse në dy ndeshje të radhës, për shembull, sigurojnë 6 pikë, atëherë do të përfitojnë në total 20 milionë lekë (të vjetër), që do të thotë se çdo fitore përkthehet me 10 milionë lekë (të vjetër). Nëse merr një fitore dhe një barazim, pra, 4 pikë radhazi, do të akordohen 10 milionë lekë (të vjetër gjithnjë). Kushti është që rezultatet pozitive të jenë në dy ndeshje radhazi, dy fitore ose një fitore dhe një barazim, pra, 6 pikë ose 4 pikë njëra pas tjetrës.
“Në fazën e parë të kampionatit kemi menduar që të mos vendosim premio. Nuk e shikojmë të arsyeshme për shkak se ekipi është vlerësuar. Lojtarëve u është dhënë 30% e kontratës, kështu që për mendimin tim, janë vlerësuar. Nuk ka se përse të japë premio në këto momente kur sapo ka nisur kampionati dhe kur lojtarët i kemi shpërblyer. Por, kemi menduar që premio të kemi në fazën e dytë”, pati deklaruar kohë më parë për gazetën, administratori Sinan Idrizi.
KUPA
Por veç dëshirës për t’u rikthyer në krye dhe rrjedhimisht për t’u shpallur kampion, synohet edhe Kupa e Shqipërisë. Ndaj, për të mobilizuar grupin që të kalojë gjysmëfinalen, është vendosur premio. Ende është shpejt për finale, por drejtuesit kanë menduar që ekipit t’i japin një shpërblim.
Ende shuma që do të vendoset për fitimin e kupës është duke u diskutuar, por synohet që të jetë goxha e majme. Një alternativë e mundshme është që premio të jetë 50 mijë euro, por gjasat janë që deri në momentin final, kjo shumë të rritet. /PanoramaSport- http://www.panorama.com.al/sport/hapet-thesi-ne-vlore-super-premio-per-2-fitore-rresht-dhe-fitimin-e-kupes/
