Merkatoja e janarit mund të sigurojë një transferim të bujshëm për sulmuesin e përfaqësueses Shpresa, Ermir Rashica. Futbollisti, i cili është pjesë e skuadrës së Metalist 1925 në kampionatin ukrainas, tanimë mund të jetë pranë hapit të madh në karrierë.
Djaloshi i larguar nga Skënderbeu një vit më parë, ka shkëlqyer në këtë periudhë kohe te skuadra ukrainase dhe me golat e asistet e tij e ka ndihmuar jo vetëm të ngjitet në elitë, por edhe të kthehet në faktor atje. Këto paraqitje, si dhe ato me Shqipërinë U21 ku ai është padyshim një nga yjet e ekipit, kanë bërë që një klub francez të vihet në ndjekje të tij.
Sipas informacioneve në Ukrainë, Rashica është kthyer në dëshirën e merkatos të një klubi të elitës në Francë, që e ka monitoruar rregullisht. Megjithatë, nuk bëhet e ditur ende se cila është kjo skuadër dhe në cilën pikë janë negociatat mes palëve. Ndaj mbetet të shihet në vijim se si do të rrjedhin ngjarjet.
